A janë të sigurt investitorët e huaj në Kosovë?

Një punëtor në "Parkun e Biznesit" në Drenas, fotografi nga arkivi

Kosova ka krijuar një siguri dhe mbrojte të lartë për investitorët ndërkombëtarë të cilët dëshirojnë që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë, thonë përfaqësues të bizneseve në vend.

Mbrojtja e investitorëve shënoi progres edhe në raportin e fundit të Bankës Botërore “Të bërit biznes 2017”.

Derisa në raportin e “Të bërit biznes për vitin 2016”, Kosova kishte shënuar regres në mbrojtjen e investitorëve, në raportin e fundit tek ky indikator u radhit nga pozita 62 në atë të 63-të.

Ndërkohë, edhe sipas të dhënave të Policisë së Kosovës thuhet se nuk ka pasur asnjë rast të evidentuar të ndonjë kërcënimi të mundshëm apo ngjashëm që iu është bërë ndonjëherë ndonjë investitori të huaj.

Sidoqoftë, në të kaluarën përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë kishin raportuar për kërcënime që iu ishin bërë investitorëve të huaj.

Ish-drejtori i përgjithshëm në Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë Valdrin Lluka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se situata tek mbrojtja e investitorëve ka ndryshuar viteve të fundit.

Derisa në të kaluarën, shton Lluka kjo mbrojtje e investitorëve nuk ka qenë e kënaqshme, sot ka siguri të lartë për investitorët.

Siguria është e madhe, nuk është se ka tani probleme siç ka pasur në të kaluarën, por tani investitorët ndjehen të sigurt në Kosovë. Për më tepër, tani janë shumë ligje dhe marrëveshje që e garantojnë investitorin në Kosovë si dhe i sigurojnë të gjitha asetet fizike dhe investitorët nuk kanë hapësirë të ndjehen të rrezikuar duke vepruar në Kosovë”, thekson Lluka.

Në mbrojtjen e investitorëve, thekson Lluka, Kosova qëndron kënaqshëm si edhe të gjitha vendet e rajonit, e në disa raste edhe më mirë.

Në anën tjetër, kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Fadil Hoxha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për afër tre vjet, asnjë investitor gjerman, i cili ka ardhur në Kosovë, nuk është ndjerë i pasigurt apo i kërcënuar.

Në dy vjet e gjysmë jam me investitorë nga Gjermania dhe në asnjë rast të vetëm nuk ka pasur dëshpërim të investitorëve nga institucionet e vendit. Jam dëshmitar se investitorët gjermanë janë ndjerë mirë dhe të sigurt në Kosovë. Unë besoj që në Kosovë ka një klimë mjaft të mirë e të sigurt për investitorët e huaj”, thekson Hoxha.

Sidoqoftë investimet e huaj ndërkombëtare në Kosovë përgjatë viteve kanë shënuar rënie.

Në këtë rënie thuhet të ketë pasur ndikim mjaft të madh situata politike jostabile në vend, niveli i lartë korrupsionit, mungesa e politikave më të favorshme fiskale, energjia jostabile si dhe evazioni fiskal.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, investimet e huaja direkte në vend deri në muajin nëntor të vitit të kaluar kanë qenë rreth 220 milionë euro, kurse në vitin 2015 këto investime kanë qenë rreth 320 milionë euro.

Kosova, vlerësojnë ekspertët për çështje ekonomike, po vazhdon të vuaj nga mungesa e investimeve të huaja, çka ndikon edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, rrjedhimisht në pamundësi të uljes se shkallës së papunësisë dhe varfërisë. (REL)