Kosova feston Ditën e Evropës, pa liri të lëvizjes

Your browser doesn’t support HTML5

Dita e Evropës, nuk i bën qytetarët e Kosovës që të ndjehen evropianë. Të lënë në izolim dhe të vetmit pa liberalizim të vizave, qytetarët e Kosovës fajësojnë si faktorin vendas ashtu edhe atë ndërkombëtar, për getoizimin e vendit.

Duke i lënë anash zhvillimet politike dhe kushtëzimet e ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi si kusht për heqjen e vizave, qytetarët e anketuar kërkojnë që t’u gjendet zgjidhje, në mënyrë që premtimet për integrime evropiane, liberalizim të vizave dhe një Kosovë evropiane, të zbatohen në praktikë dhe të mos mbeten vetëm në retorikën politike.

Të anketuar për Radion Evropa e Lirë, disa studentë flasin se sa ndjehen evropianë.

Gresa Shabani studion marketing në Universitetin e Prishtinës. Ajo thotë se ndjehet e izoluar në shtetin më të ri të Evropës.

“Unë nuk ndjehem evropiane, sepse nuk jemi pjesë e Evropës. Na pengon izolimi, mos lëvizja e lirë. Ne atë po e pretendojmë që të jemi të lirë në lëvizje. Do të mund të shkëmbenim njohuri, kultura e gjëra të tjera me të rinjtë e vendeve të Evropës”, ka thënë Gresa Shabani.

Më shumë as më pak evropian, nuk ndihet as Liburn Fejza, po ashtu student.

“Nuk ndjehem evropian. Përpos që gjendemi veç si shtet në Evropë. Jemi të izoluar dhe na duhen viza për gati krejt vendet tjera në Evropë”, ka thënë Liburn Fejza.

Derisa Besian Haklaj, thotë se për shkak të mungesës së lëvizjes së lirë, ai asnjëherë nuk ka vizituar ndonjë vend të Bashkimit Evropian.

“Evropian është vështirë të ndihesh në Kosovë. Prishtina ka elemente evropiane si qytet, nëse krahasohet me qytezën prej nga vi unë, Deçanin”.

“Por unë nuk kam vizituar asnjëherë vendet e Bashkimit Evropian. Arsyeja ka qenë viza. Unë jam student dhe nuk punoj. Andaj edhe me marrë vizë është problem”, ka thënë Besiani.

Kurse Kristian Saliqolaj, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se liberalizimi i vizave sidomos për të rinjtë do të ishte me dobi shumë të madhe.

“Liberalizimi i vizave do të ishte një dobi për neve. Do të na shërbente të zbulojmë kultura evropiane, shkëmbim kulturash e tjera. Si të rinj që jemi, na duhet lëvizja e lirë. Tash ndihem i izoluar . Nuk kemi qasje me Evropën”, ka thënë Kristian Saliqolaj.

Edhe Bekim Morina, student në Fakultetit Ekonomik thotë se një kosovar ndihet i izoluar dhe i ofenduar.

“Nuk ndihem Evropian. Ka shumë evropianë në Kosovë, e ne jemi të izoluar. Unë asnjëherë nuk kam vizituar vendet e Bashkimit Evropian. E gjithë kjo për shkak të mungesës së lëvizjes së lirë”.

“Nuk kam tentu as me marrë vizë vitet e fundit pasi gjithmonë jam refuzuar”, ka thënë Bekimi.

Sidoqoftë, rruga deri te anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, vlerësohet të jetë ende shumë e gjatë.

Kurse lëvizja e lirë përmes liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, mbetet ende e kushtëzuar me një marrëveshje politike ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, për demarkacionin e kufirit, të cilën autoritetet e Kosovës nuk po arrijnë ta miratojnë dhe zbatojnë. (REL)