Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Agim Nuhiu, ka vlerësuar se nevojiten reforma të thella që organet e rendit të mund të garantojnë mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët.
Duke folur në Ditën e Policisë, Nuhiu, e vlerësoi si shumë problematike mungesën e transparencës në dikasterin e policisë.
“Edhe në këtë ditë feste e kam bindjen se reformat e thella në institucionin e policisë do të duhet të vazhdojnë për të pasur prosperitet e progres, për të kultivuar vlerat dhe standardet thelbësore të një policie profesionale, dinjitoze dhe të respektuar. Policia e Shtetit duhet të garantojë një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Agim Nuhiu.
Komentet vijnë pas kritikave të shumta nga ekspertët e sigurisë po edhe vetë ministri i Punëve të Brendshme, se pjesë e skenarit të dhunshëm në ngjarjet e 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë, gjatë zgjedhjes së kryetarit të këtij institucioni ligjvënës, ishin edhe struktura të caktuara policore të cilët nuk e kanë kryer detyrën në përputhje me rregullativën ligjore.
Kontrollimi i funksionimit të policisë sekrete mbetet pjesa më e ndjeshme në dikasterin e policisë, thonë ekspertë të fushës, veçanërisht pas publikimit të bisedave të përgjuara. Kjo çoi në ngritjen e padisë për zyrtarët e lartë të kësaj drejtorie për shpërdorim të detyrës zyrtare nga Prokuroria Speciale.
Ish ministri Oliver Spasovki nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, parti kjo e cila kryeson shumicën e re parlamentare, e cila pritet të formojë qeverinë e re të Maqedonisë, thotë se në kuadër të këtij institucioni ka profesionistë, por problemi, thotë ai, që e bën jofunksional dikasterin e policisë është se në pozitat vendimmarrëse qëndrojnë persona partiak, të cilët u shërbejnë drejtuesve të partive politike në pushtet dhe jo ligjeve.
“Një nga aktivitetet kryesore të qeverisë së ardhshme do të jetë realizimi i reformave thelbësore në kuadër të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, në përputhje me rekomandimet e Pribesë dhe praktikave që vlejnë në vendet e zhvilluara evropiane. Qeveria e re plotësisht do ta mbështesë kontrollin e komisionit parlamentar ndaj këtij organi”, ka theksuar Sasovski.
Ekspertët thonë se reformat duhet të përshijnë dhe numrin më të madh të shqiptarëve në pozitat vendimmarrëse, ngase në bazë të hulumtimeve që ka realizuar Universiteti i Tetovës më shumë se 60 për qind e qytetarëve shqiptarë ende nuk kanë besim në organet e policisë.
“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme akoma ka drejtori dhe sektorë të caktuar, siç është ajo për ndërhyrje të shpejtë dhe sektorë të tjerë të cilët janë shumë larg atij 20 për qindëshi të përfshirjes së shqiptarëve që është e garantuar dhe me ligj”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, Bashkim Selmani ligjërues në fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës.
Policia e Maqedonisë është kritikuar në vazhdimësi edhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian dhe si problematike është fokusuar tejkalimi i kompetencave gjatë aksioneve policore, mungesa e transparencës si dhe politizimi i institucionit. (REL)