QKSS: Nevojitet program ri-socializimi dhe ri-integrimi për personat e kthyer nga Siria e Iraku

Ilustrim

Ri-socializimi dhe ri-integrimi institucional i pjesëtarëve që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja është një nevojë imediate thuhet në raportin më të ri të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

“Sikurse në shumë shtete të botës edhe Kosova është duke u ballafaquar me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm. Sfidë të veçantë paraqesin luftëtarët e huaj të rikthyer në Kosovë, si dhe individët të cilët nuk kanë marrë pjesë në luftërat e huaja, por që konsiderohen si të afektuar me këtë fenomen”, thuhet në raport.

Si përgjigje ndaj këtij fenomeni, ky raport ngërthen në vete programe rehabilituese dhe ri-socializuese për këto kategori individësh të cilët duhet t'ju nënshtrohen para rikthimit të tyre në shoqëri.

Në raportin e prezantuar analizohen tri raste të studiuara, duke përfshirë aty rastin e Gjermanisë, Danimarkës dhe Arabisë Saudite. Marrë parasysh modele të tilla, QKSS tha se mund të ofrohet një program alternativ i ndarë në tri faza, ku përfshihen, faza rehabilituese, ajo ri-socializuese si dhe faza pas lirimit.

“Krahasuar me vende të tjera evropiane, kapacitetet institucionale për të hartuar dhe zbatuar programe të suksesshme ri-integrimi janë tejet të kufizuara. Korniza e sotme ligjore, nëpërmjet sistemeve korrektuese dhe institucioneve të ngjashme, nuk jep zgjidhje të mjaftueshme meqë nuk përputhet me gjendjen në terren”, theksohet në raport.

Të paktën 300 shtetas të Kosovës u janë bashkuar luftimeve në Lindjen e Mesme që prej fillimit të krizës në atë rajon.

Autoritetet e sigurisë thonë se edhe rreth 140 persona kanë mbetur në vatrat e krizës, përfshirë gra dhe fëmijë.

Një numër prej mbi 100 pjesëmarrësish në luftëra janë rikthyer në Kosovë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar dhe dënuar, ndërkohë që një pjesë tjetër ende po përballen me drejtësinë.

Autoritetet në Kosovë thonë se rehabilitimi i të radikalizuarve nuk mund të bëhet përmes amnistisë, por përmes “programeve rehabilituese dhe të risocializimit”, pa përjashtuar edhe masat ligjore.