Dhunë në Kuvendin e Maqedonisë, Ivanov thërret liderët në takim

Your browser doesn’t support HTML5

Shkup: Deputetët shqiptarë përgjaken nga protestuesit

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov në një paraqitje të jashtëzakonshme ka bërë thirrje për një takim të liderëve të partive politike ndërsa ka dënuar veprimet që sipas tij janë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë.

Ivanov tha se nuk ka kontest që nuk mund të zgjidhet, por se për këtë nevojitet përgjegjësi në përputhje me ligjet e vendit. Ai zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit e quajti veprim antiligjor.

“Apeloj për uljen e tensioneve dhe sjellje të përgjegjshme në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Deputetët janë përgjegjës për çdo veprim të tyre. Çdokush duhet të jetë përgjegjës për veprimet e veta. Vetëm përmes respektimit të kushtetutës dhe të ligjeve dhe të rendit kushtetues mund të ketë zgjidhje. Nuk ka çështje për të cilat nuk mund të arrihet epilog, por vetëm përmes respektimit të ligjeve dhe kushtetues. Ftoj në takim liderët e të gjitha partive politikepasi ata kanë fituar besimin dhe janë përgjegjës për kapërcimin e gjendjes. Akush nga jashtë nuk na zgjidhin problemet nëse këtë vet nuk e bëjmë”, ka deklaruar presidenti Gjorge Ivanov.

SHBA: Dhuna në Shkup e papranueshme

Ambasada e SHBA-ve në Maqedoni ka dënuar dhunën përpara Kuvendit të Maqedonisë duke kërkuar nga palët respektimin e parimeve demokratike për zgjidhjen e kontesteve. Ambasada amerikane ka pranuar edhe zgjedhjen e Talat Xhaferi për Kryetar të Maqedonisë.

“E dënojmë dhunën në Kuvend në mënyrën më të ashpër. Ajo nuk është në pajtim me demokracinë dhe është një mënyrë e papranueshme për të zgjidhur dallimet. është jashtëzakonshme e rëndësishme që të gjitha partitë të respektojnë proceset demokrate dhe ligjin, të përmbahen nga aktet e dhunës, që do të ndiznin më tej situatën. Shumica e deputetëve zgjodhën Talat Xhaferin si kryetar të Kuvendit gjatë një sesioni të rregullt në sytë e publikut dhe mediave. Ne do të vazhdojmë të mbështesin demokracinë dhe të përparojmë interesat e Maqedonisë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Tensione në Kuvendin e Maqedonisë

Lidhja Social Demokrate e Maqedonise e Zoran Zaevit ka njoftuar se 10 deri në 15 deputetë jane sulmuar nga protestuesit .

Ndërkohë, ministri i punëve të brendshme i Maqedonisë Agim Nuhiu ka theksuar se dikasteri që drejton duke e vënë situatën nën kontrol, por ka shtuar se protestuesit kanë sulmuar dhe pjesëtarë e forcave të sigurisë .

Ai ka anashkaluar pyetjen se pse Ministria e Punëve të Brendëshme e Maqedonisë ka reaguar me vonesë.

Në Kuvendin e Maqedonisë kanë mbetur të ngujuar depuetetët e shumicës parlamentare dhe një grup i gazetarëve, ndërkohë që protestat vazhdojne përpara parlamentit.

Forcat e sigurise kanë provuar të shperndajne turmën përmes përdorimit të gazit lotsjellës.

*******

Pas ngjarjeve të fundit në Parlamentin e Maqedonisë me ç'rast protestuesit kanë sulmuar fizikisht liderin e social demokratëve Zoran Zaev dhe liderin e LRPDSH-së Zijadin Sela si dhe disa deputetë të shumicës parlamentare e gazetarë, përmes rrjetit social lideri i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski ka theksuar se “dhuna nuk është zgjidhje"

"E nevojshme që të ulen gjakrat. VMRO-DPMNE do të jetë përballë procedurave të LSDM-së kundër shtetit nëpërmjet mjeteve juridike dhe politike” ka shkruar Gruevski.

Deputetët shqiptarë nga Bashkimi Demokratik për Integim dhe ata të Lëvizjes Besa u kanë bërë thirrje qytetarëve që të ulin gjakrat dhe të mos dalin jashtë shtëpive të tyre pa nevojë.

Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, ka reaguar përmes rrjetit social Twitter, duke e dënuar dhunën në Parlamentin e Maqedonisë.

Pas përshkallëzimit të situatës kanë reaguar edhe ambasadorët e akredituar në Shkup.

Në emër të gjithë ambasadorëve në Maqedoni amabasadori i Suedisë në Shkup Mats Stafanson ka theksuar se gjendja e krijuar në Parlamentin e Maqedonisë është e papranueshme.

Stefanson i shoqëruar nga të gjithë diplomatët e vendeve të Bashkimit Evropain dhe ai SHBA-së ka apeluar tek të gjithë ata që e krijuan këtë kaos se tani është koha për dialog dhe qetësi e jo për dhunë.

“Apelojmë të gjithë partive që të përmbahen nga retorikat nxitëse që përkeqësojnë gjendjen, si dhe kjo është detyrë e forcave të rendit për të mbajtur nën kontroll gjendjen e tensionuar”, u shpreh ambasadori i Suedisë në Maqedoni Mats Stefanson.

****

Në një atmosferë tejet të tensionuar, shumica parlamentare e përbërë nga deputetët e Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca Shqiptare, ka zgjedhur për kryetar të Kuvendit Talat Xhaferi.

Kryetari i sapo zgjedhur i parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi, tha se funksionar të VMRO-DPMNE-së janë puçistët e vërtetë sepse me muaj të tërë bllokuan institucionet shtetërore.

“Si kryetar i zgjedhur edhe pse në këto rrethana në asnjë mënyrë nuk do lejojë uzurpim të institucioneve”, ka theksuar kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferri.

Përderisa ka mbajtur konferencën për shtyp një pjesë e protestuesve “për Maqedoni të përbashkët” të cilët gjatë dy muajve të fundit protestojnë kundër formimit të koalicionit të ri qeveritar mes Social Demokratëve dhe partive politike shqiptare, siç thonë kundër shtrirjes së gjuhës shqipe në territorin e Maqedonisë dhe platformës së partive politike shqiptare, siç e kanë quajtur të Tiranës, kanë thyer kordonin policisë dhe kanë depërtuar në godinën e Parlamentit të Maqedonisë.

Protestuesit janë vendosur në sallën e parlamentit ku po qëndrojnë dhe deputetët e VMRO DPMNE-së.

Ata kanë ushtruar dhunë ndaj liderit të LSDM-së Zoran Zaev, i cili është përgjakur, ndaj liderit të Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare Zijadin Sela si dhe disa deputetë të tjerë.

Sulmuesit me fytyra të mbuluara kanë sulmuar dhe gazetarët të cilët kanë ndjekur nga afër situatën në Parlamentin e Maqedonisë.

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë është sulmuar brenda ndërtesës së Kuvendit dhe i është dëmtuar kamera.

Njëri nga simpatizantët dhe zyrtarët e VMRO-DPMNE-së (emri i njohur për redaksinë) ia ka marrë kamerën dhe e ka thyer. Në pyetjen e gazetarëve pse – ai është përgjigjur – që të mos ketë kamera.

Një simpaizant tjetër e ka goditur gazetaren në shpinë.

Janë sulmuar edhe gazetarë të tjerë dhe u janë dëmtuar edhe pajisjet e tyre.

​Ata thonë se nuk do të lejojnë ë Parlamenti i Maqedonisë të drejtohet nga një siç janë shprehur “terrorist” i cili ka marrë pjesë në konfliktin e armatosur të vitit 2001 siç ishte Talat Xhaferi pjesëtar i UCK-së

Protestuesit kanë thënë se do të mbeten aty duke mos lejuar që ky institucion ta “zhbëjë shtetiin e Maqedonisë”

Ndërkohë protestuesit kanë bërtitur “parlamentin e Maqedonisë nuk do ta lejmë në duart e tradhtarëve”

Ndërkaq, deputetet e shumicës parlamentare të LSDM-së BDI dhe Aleancës për shqiptarët janë mbledhur në sallën e shtypit.

Zgjedhja e kryetarit të ri të parlamentit është bërë në një atmosferë të tensionuar pasi pak para orës 18:00, deputeti i LSDM-së Oliver Spasovski i ka ftuar deputetët e shumicës parlamentare të LSDM-së, BDI-së dhe Aleancës Shqiptare, që të ngrihen në këmbë për demonstruar mbështetjen për votimin e kryetarit të Kuvendit.

​Pas kësaj, deputetët e VMRO DPMNE-së kanë brohoritur “zgjedhje, zgjedhje, zgjedhje”……Njëherësh, ata kanë kënduar një këngë patriotike “Një Maqedoni ne e kemi”.

Kësaj i janë kundërpërgjigjur deputetët e LSDM-së duke kënduar këngën e njohur të “revolucionit shumëngjyrësh “Shutka nuk të ikë Nikolla”, (Shutka aludon në lagjen ku është i vendosur burgu i Shkupit).

Lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë Zoran Zaev, në një konferencë për shtyp të enjten, ka theksuar se VMRO DPMNE dhe kryetari i kësaj partie Nikolla Gruevski, refuzon të dorëzojë pushtetin sepse ka frikë nga përballja me drejtësinë. (REL)