Komisioneri për çështje të brendshme dhe migracion, Dimitris Avramopoulos, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të ‘gjitha partive politike në vend’ që ta procedojnë sa më shpejt për votim në Kuvend marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Komisioneri Avramopoulos thuhet t’i ketë dhënë Kosovës mbështetjen e plotë në hapat e fundit drejt procesit të liberalizimit të vizave.
“Komisioneri Avramopoulos ka njohur përpjekjet e Kosovës për të ratifikuar marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe e ka inkurajuar kryeministrin Mustafa dhe qeverinë e tij dhe të gjitha partitë politike që ta procedojnë sa më shpejtë atë për votim në Kuvend”, thuhet në një kumtesë të përbashkët të komisionerit të BE-së dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
Kryeministri Mustafa ka qëndruar në Bruksel ku është takuar me komisionerin për cështje të brendshme dhe migracion, Dimitris Avramopoulos, me të cilin thuhet të ketë hapur çështjen e pezullimit të përkohshëm të kushtit të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, për liberalizimin e vizave.
Kërkesa e Mustafës që përfshinte hapjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe përmbushjen e kushtit të demarkacionit ‘brenda një periudhe dy vjeçare’.
Në kumtesën e përbashkët të komisionerit Avramopoulos dhe kryeministrit Mustafa, thuhet se takimi është zhvilluar për të diskutuar hapat e fundit të nevojshëm për të përmbushur kushtet e mbetura për liberalizim të vizave me Kosovën.
Në kumtesë gjithashtu thuhet se komisioneri i BE-se ka shprehur gatishmërinë e tij që ta vizitojë Kosoven përpara verës së këtij viti.
“Komisioneri Avramopoulos e ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për përparimin e arritur deri tani përfshirë edhe rastet konkrete në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të dyja palët janë pajtuar se përparimi duhet të mbahet dhe në veçanti numri i dënimeve aktuale të rritet”, thuhet në kumtesë.
Në Komisionin Evropian, njofton bashkëpunëtori i Radios Evropa e Lirë në Bruksel, thonë se takimi me kryeministrin Mustafa ishte një rast i mirë ‘për të analizuar gjendjen momentale në procesin e liberalizimit të vizave dhe përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës’.
Marrëveshja për damarkimin e vijës kufitare ndërmjet Prishtinës e Podgoricës u nënshkrua në verën e vitit 2015 në Vjenë, në praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe Mali i Zi e ratifikoi në Kuvendin e tij, duke i hapur rrugën vendit drejt anëtarësimit në NATO.
Por, ajo ngjalli reagime të fuqishme të opozitës në Kosovë, e cila përdori edhe gazin lotsjellës për të parandaluar miratimin e saj në Kuvend.
Një projektligj në Kuvend u tërhoq nga Qeveria, vitin e kaluar, e cila pohoi se do ta rikthejë ‘në kohën kur të ketë arritur numrin e mjaftueshëm të votave’.
Partnerët në koalicionin qeverisës thanë se janë pajtuar që brenda ditësh ta votojnë Demarkacionin me Malin e Zi, pas bisedave me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Yee.
Por, opozita ka këmbëngulur sërish se marrëveshja do të kundërshtohet meqë, sipas saj, ‘Kosova me demarkacion humbet mbi 8 mijë hektarë tokë të saj’.
Propozimi i kryeministrit Mustafa, për pezullim të përkohshëm të kushtit të demarkacionit ndërkaq është diskutuar të martën me deputetët e Grupit të Partive Popullore në Parlamentin Evropian.
Kryeministri Mustafa gjatë ditës do të takojë edhe Joseph Daul kryetarin e Partisë Popullore Evropiane, pjesë e së cilës, në cilësinë e vëzhguesit është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. (REL)