Afro 95 për qind e fëmijëve të vaksinuar, programi përfshinë edhe komunitetet

Ilustrim

Autoritetet shëndetësore në Kosovë thonë se po realizojnë programe të përfshirjes në fushatën e vaksinimit të fëmijëve të komuniteteve serbe, rom, ashkali e egjiptas, përmes programeve të veçanta, duke përmbushur synimin për të gjithë fëmijët e vaksinuar.

Por, përfaqësues ndërkombëtarë thonë se megjithë sukseset e arritura, Kosova nuk e ka përfshirë plotësisht, posaçërisht komunitetet RAE, në procesin e vaksinimit të fëmijëve.

Komentet u bënë në shënimin e javës së imunizimit dhe promovimit të vaksinës kundër sëmundjeve.

Kosova radhitet në mesin e vendeve me afro 95 për qind të fëmijëve të vaksinuar dhe autoritetet në vend thonë se vendi ka treguar sukses në këtë fushë në dy dekadat e fundit.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, ka thënë se në vend është aplikuar programi i zgjeruar i imunizimit, e që me këtë program është përmbushur kërkesa e Komitetit Evropian për Raportin e Progresit dhe planin e veprimit të partneritetit Evropian.

Për të zvogëluar shkallën e lartë të vdekshmërisë dhe sëmundjeve, ne kemi implementuar programin e zgjeruar të imunizimit sidomos të grupmoshave 0 deri në 12 muaj. Vitin e kaluar kemi përfshirë mbi 95 për qind, e që na bën si shtet të radhitemi në shtetet e suksesshme në botë. Ne sot po realizojmë me sukses programe te veçanta të përfshirjes së fëmijëve edhe të komuniteteve RAE dhe serbe, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet pa vaksinim. Me këtë program po përmbushim në të njëjtën kohë edhe kërkesën e Komitetit Evropian për Raportin e Progresit dhe planin e veprimit të partneritetit Evropian”, ka thënë Ramadani.

Por, zyra e Fondacionit për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNICEF, që siguruar vaksinat për fëmijet e Kosovës, me çmimet më të lira, ka bërë thirrje për vaksinimin e të gjtihë fëmijëve që nuk kanë arritur ta bëjnë këtë.

Përfaqësuesi i UNICEF-it James Mugaju, tha se ka progres në aspektin e vaksinimit, por ende mbetet për t’u bërë, veçanërisht për grupet e komuniteteve.

Java e imunizimit është një mundësi e mirë për të përsëritur rëndësinë e vaksinimit dhe mbrojtjen e fëmijëve, si dhe për t’iu gëzuar sukseseve që janë arritur përmes programit të zgjeruar të imunizimit dhe po ashtu që të bëjmë një thirrje për veprim për të vaksinuar të gjithë fëmijët që nuk kanë arritur ta bëjnë këtë deri më tani”, ka thënë Mugaju.

Sipas të dhënave, në Kosovë 79 për qind e fëmijëve të moshës 24 -35 muaj janë të vaksinuar plotësisht. Mbesin komunitetet rom, egjiptian dhe ashkali të pambuluar. Progresi është shumë i mirë por ende kemi për të bërë për këto grupe, për të mbyllur hapësirën e pa barazisë", ka thënë tutje Mugaju.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, ka deklaruar se Kosova ka qenë në trend të shteteve të suksesshme të imunizimit të fëmijëve, derisa theksoi se po punohet që edhe pakicat të futen në sistemin e imunizimit.

Imunizimi është një nga aktivitetet që zvogëlojnë sëmundjet dhe vdekshmërinë dhe kjo reflekton në aspektin ekonomik dhe emocional të Kosovës. Kosova ka qenë në trend të shteteve të suksesshme në këtë program dhe po vazhdon të mbetet një nga vendet me shkallë të lartë të imunizimit. Ne jemi duke punuar që komunitetet RAE të futen në imunizim”, ka thënë Rrahmani.

Ndërkohë, Naser Ramadani ka theksuar faktin se shumë sëmundje tashmë janë zhdukur në Kosovë falë mbulimit të fëmijëve me vaksina, derisa rrjedhimisht në vendet fqinje e më larg ka pasur epidemi sëmundjesh.

Ndryshe në Kosovë, falë vaksinimit nuk ka raste të paralizës së fëmijëve, fruthit , difteri, tetanus të porsalindurve si dhe rubellë. Gjersa në botë ka ende fëmijë që mbesin në karrocë, në Kosovë nuk ka më raste. Fruthi, vite më parë kishte shpërthyer si epidemi e fruthit, gjithashtu edhe në Serbi , Rumani Rusi, derisa në Kosovë asnjë fëmijë nuk është prekur me fruth’’, ka thënë Ramadani.

Sidoqoftë, zyrtarë shëndetësorë kanë theksuar se është praktikuar edhe projekti shtëpi më shtëpi, për vaksinimin e fëmijëve të komuniteteve RAE, derisa ,siç kanë thënë, ka ende punë duke përfshirë edhe vetëdijen e prindërve të fëmijëve të këtyre komuniteteve. (REL)