Mustafa në Bruksel, do të kërkojë pezullimin e marrëveshjes së demarkacionit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, udhëton sot në Bruksel, në përpjekje për të bindur zyrtarët evropianë që t’i mundësojnë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa kushtin për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ta pezullojnë për dy vjet.

Nëse Kosova nuk arrin që gjatë kësaj periudhe ta ratifikojë marrëveshjen për demarkacion, regjimi i vizave do të futej sërish në fuqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh partner i koalicionit me Mustafën, ka thënë të premtën, pas bisedës telefonike me zëvendësndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, se është arritur marrëveshja që çështja e demarkacionit të dalë në Kuvend këtë javë.

Kjo, megjithatë, varet nga kryeministri i Kosovës, i cili duhet ta dërgojë marrëveshjen në Kuvend.

Abdullahu ka thënë se në lidhje me këtë do të ketë më shumë informacione pas kthimit të Mustafës nga Brukseli, të enjten.