Kosova mbetet mjaft prapa në trajtimin e fëmijëve me nevoja të veçanta. Këta fëmijë, ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet. Ndër to mungon edhe ofrimi i shërbimeve adekuate shëndetësore.
Kështu kanë deklaruar zyrtarë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si qendër terciare referente për tërë Kosovën.
Edhe drejtuesi i organizatës “Hendikos”, Afrim Maliqi thotë se mungesa e ofrimit të shërbimeve adekuate shëndetësore për fëmijët me nevoja të veçanta, si pasojë, në disa raste ka çuar edhe vdekjen e tyre.
“Në mungesë të shërbimeve shëndetësore profesionale ka edhe raste të vdekjes së fëmijëve për shkak se shërbimet që nuk ofrohen në Kosovë, ndërkaq (ata) nuk kanë mundësi shërimi jashtë vendit”.
“Fëmijët me aftësi të kufizuara janë të liruar vetëm nga participimi në pagesë për vizitat mjekësore. Asnjë shërbim tjetër shëndetësor nuk e marrin, qoftë paisjet ndihmëse që u duhen, medikamentet që i përdorin në përditshmëri, e që gjithmonë mungojnë. Në përgjithësi, gjendja e fëmijëve është jashtëzakonisht e rëndë”, ka thënë Maliqi.
Tutje, Maliqi shton se përveç tjerash, fëmijëve me nevoja të veçanta u mungon edhe rehabilitimi e që është më se i nevojshëm.
“Vetëm organizatat e personave me aftësi të kufizuara mundohen t’u ofrojnë me anë të projekteve, qëndrime rehabilituese, meqë fëmijët nuk marrin shërbime tjera institucionale shëndetësore duke nënkuptuar edhe rehabilitimin. Ne kemi tri qendra rehabilituese në Kosovë, e që janë private dhe gjithçka paguhet”, ka thënë Maliqi.
Zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mungon ofrimi i shërbimeve specifike për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Klinikat e QKUK-së janë të mbingarkuar nga numri i pacientëve, por megjithatë, mundohemi që këta fëmijë të kenë përparësi në trajtim dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore”.
“Por shërbimet ofrohen si edhe për kategoritë e tjera dhe nuk ka ndonjë institucion që merret vetëm me këtë kategori të pacientëve”, ka thënë Fazliu.
“Ekzistojnë disa reparte apo shërbime për trajtimin e fëmijëve si në ortopedi, psikiatrinë e fëmijëve ku sistemohen, por që ata nuk ndahen dhe trajtohen sikur të gjithë fëmijët e tjerë, edhe me qëllimin që të mos stigmatizohen”, ka theksuar ai.
Kosova nuk ka statistika të sakta, por sipas informatave që posedojnë organizatat që merren me të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë, thuhet se janë rreth 150 mijë persona me nevoja të veçanta, ku prej tyre, rreth gjysma, vlerësohet të jenë fëmijë.
Koalicioni Rajonal për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), tashmë kanë publikuar një studim krahasues ndërmjet rezultateve të Indeksit të Mbrojtjes së Fëmijës dhe Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke e vënë theksin në një sërë veprimesh që Kosova duhet të ndërmarrë për të zhvilluar më tej kapacitetet e saj për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve.
Kosova është radhitur aty e teta nga nëntë shtete ku është bërë hulumtimi.
Donjeta Kelmendi udhëheqëse e Koalicionit për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka arritur rezultat jo të mirë, kur bëhet fjalë për përkujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.
“Financimi dhe buxheti i ndarë për fëmijët me nevoja të veçanta në Kosovë nuk është në harmoni me dispozitat ligjore për këta fëmijë. Indeksi është zbatuar në nëntë shtete dhe Kosova ka dalë e teta”.
“Indeksi rekomandon që komunat, sipas mandatit të tyre, duhet të zhvillojnë shërbime të bazuara në komunitet për këta fëmijë. Këto shërbime duhet të monitorohen sipas standardeve të cilësisë”, ka thënë Kelmendi.
Ky studim krahasues mes Raportit të Progresit të BE-së dhe Indeksit të Mbrojtjes së Fëmijës, përfshin informacionin se si shtetet e tjera të rajonit i kanë prezantuar reformat kyçe në ato fusha, ku politikat aktuale të Kosovës nuk janë në përputhje me Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.(REL)