Pashkët në Kosovë: Festë e paqes dhe pajtimit

Mesha në Katedralen "Nënë Tereza" për festën e Pashkëve

Në Kosovë besimtarët e krishterë po kremtojnë festën e Pashkëve.

Në meshën mbajtur sot Katedralën “Nënë Treza” në Prishtinë u tha se mesazhi i Pashkëve në thelbin e vet bart porosinë për paqe, dashuri, pajtim, jetë të drejtë, të ndershme dhe të mirë.

Mesha e mbajtur sot në Katedralen "Nënë Tereza"

Kurse në meshën solemnetë mbajtur mbrëmë, Imzot Dodë Gjergji ka porositur se paqja e vërtetë është ajo që e ka burimin në drejtësinë e Zotit, ndërsa ka kërkuar që çdonjëri të promovojë tolerancën ndërfetare dhe dashurinë ndërnjerëzore.

Paqja e vërtetë është ajo, që e ka burimin në drejtësinë e Zotit, ajo që është e mundur dhe vërtet është e mundur. Në vendin tonë kanë kaluar shumë vite, që kur paqja është rënduar nga ata që e ndalen luftën, por kjo nuk do të thotë që me ne mbretëron paqja, pasi që ajo akoma nuk ka depërtuar në mendjen dhe në zemrën e secilit dhe kemi shumë pasoja të dhimbshme”, ka thënë Imzot Dodë Gjergji.

Urime për festën e Pashkëve kanë dërguar edhe liderët e institucioneve të Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se “kjo festë dhe këto ditë të shpresës, dashurisë dhe mirëkuptimit, uroj t’ju gjejnë mes njerëzve tuaj të dashur, familjeve tuaja, me gëzime dhe shumë të mira për juve”, thuhet në urimin e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi

Telegram urimi për besimtarët e krishterë për Festën e Pashkëve, ka dërguar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Ai ka shprehur urimet më të përzemërta për të gjithë besimtarët katolikë, ortodoksë dhe besimtarët e tjerë të krishterë të cilët kremtojnë këtë festë të rëndësishme.

Festa e Pashkëve përçon te besimtarët anekënd mesazhe të fuqishme të shpresës, të optimizmit dhe të dashurisë, duke përforcuar besimin, virtytet dhe vlerat më të larta njerëzore”, thuhet në urimin e kryeministrit Isa Mustafa.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nërrjetin social Facebook ka “uruar përzemërsisht të gjithë të krishterët që festa e Pashkëve të sjellë sa më shumë paqe, lumturi e begati në familjet tuaja”, ka shkruar Veseli.

Telegram urimi për komunitetin katolik të Kosovës, për festën e Pashkëve, ka arritur nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Në telegramin e urimit të kryetarit të kësaj Bashkësie, Naim Tërnava, thuhet, “ i nderuar Ipeshkëv, zotëri Dodë Gjergji, me rastin e festës së Pashkëve kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim personal dhe në emër të bashkëpunëtorëve të mi si dhe në emër të besimtarëve të besimit Islam t’u përcjell juve personalisht, bashkëpunëtorëve tuaj si dhe të gjithë besimtarëve të besimit katolik urimet e mia më të sinqerta duke u dëshiruar gjithë të mirat e begatitë e Zotit”.

Uroj që mesazhet dhe porositë që dalin nga festa e Pashkëve të jenë si gjithherë në funksion të fisnikërimit të popullit tonë dhe gjithë popujve në botë”, thuhet në telegram urimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Festa e Pashkët shënon ditën kur të krishterët besojnë se është ringjallur Jezu Krishti. Kjo është festa më e rëndësishme e të krishterëve. (REL)