“Kjo qeveri e cila ka dy vite e gjysmë që është në pushtet nuk po arrin të kompletojë një pako fiskale. Më i dhimbshëm është fakti që kjo pako fiskale është dashur të jetë në funksion të prodhuesve shumë më parë në mënyrë që efektet e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të jenë më të mëdha dhe në favor të zhvillimit ekonomik”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.
Zeka thotë se edhe pas nëntë viteve atëherë kur të gjitha detyrimet doganore do të hiqen për produktet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, presioni konkurrues për prodhuesit tanë do të jenë i rëndë.
Radio Evropa e Lirë: Janë bërë një vit që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asoscimit, cilat janë efektet që ka pasur Kosova nga kjo marrëveshje?
Arian Zeka: Realisht efektet nuk kanë qenë të dëshiruara, jo ato që i kemi pritur. Ajo që duhet të potencohet është që Kosova edhe para hyrjes në fuqi të MSA-së, në atë kohë ka qenë duke përfituar nga masat preferenciale tregtare me shtetet e Bashkimit Evropian, edhe pse statusi i atëhershëm ka pasur disa kuota.
Ajo çfarë duhet të thuhet është që prodhuesit kosovarë kanë kapacitet të kufizuara të prodhimit dhe realisht të njëjtat i kanë pasur edhe para 1 prillit të viti t2016, përjashtokëtu sektorin e verarisë. Ato kuota nuk kanë arritur të përmbushen asnjëherë që do të thotë edhe pas hyrjes në fuqi të MSA-së efektet tona sidomos të reflektuar në eksportet e Kosovës drejt vendet të BE-së pothuajse kanë mbetur të njëjta.
Kjo dëshmohet edhe me statistikat tregtare dhe me bilancin tregtar të vitit 2016 që pothuajse ka mbetur i njëjtë krahasuar me vitin 2015, madje ka pasur edhe rënie të eksportit dhe kjo i referohet edhe gjendjes në të cilën është karakterizuar njëri nga gjigantet më të mëdhenj industrial “Ferronikeli”, i cili qoftë për shkak se disa muaj nuk ka punuar qoftë në rënien e çmimit të niklit në berzën ndërkombëtare ka ndikuar dukshëm në bilancin e eksporteve të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë duhet bërë që prodhimet e Kosovës të depërtojnë më shumë dhe më lehtë në tregjet evropiane?
Arian Zeka: Gjendja e eksporteve që karakterizon Kosovën është realisht reflektim i pozitës industriale që mbizotëron në Kosovë. Prodhuesit për vite janë përballur me politika të pafavorshme fiskale dhe kjo realisht nuk ka ndryshuar edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Është kërkuar nga asociacionet e biznesit që këto politika të përmirësohen dhe të vihen në shërbim të prodhueseve. Krejt çfarë është kërkuar dhe që duhet të bëhet është që pozita e prodhuesve tanë të sillet në pozitë të barabartë me pozitën e prodhuesve të vendeve të rajonit.
Është nisur një reformë fiskale që në fund të vitit 2013, por dinamizmi i kompletimit të kësaj reforme ka qenë shumë i ngadaltë.
Luhet me emra, reforma fiskale 1, reforma fiskale 2.0, por që realisht është një reformë fiskale e cila nuk arrin të kompletohet tash e sa vite.
Nisë me dy masa të thjeshta lirimi i të gjitha lëndëve të para nga detyrimet doganore që është shembull që aplikohet në vendet e Ballkanit Perëndimor edhe krejt çka duhet të bëhet është e njëjta të aplikohet edhe ne vendin tonë, dhe kërkesa tjetër është futja në fuqi e pushimeve tatimore, prej të cilave do të përfitonin bizneset e reja dhe investitorët që do të vinin në vendin tonë.
Për këto dy masa aprovimi do të merrej shumë lehtë edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtarë.
Kjo qeveri ka diku dy vite e gjysmë që është në pushtet dhe realisht nuk po arrin të kompletoj një pako fiskale dhe ajo që është më e dhimbshme është që tash një vit u bënë që nga hyrja në fuqi e MSA-së dhe pakoja fiskale do të duhej të ishte në funksion të prodhuesve tanë në mënyrë që MSA-ja të shfrytëzohet më mirë.
Kam drojën që edhe nëntë vite prej kur të gjitha detyrimet doganore do të hiqen për produktet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, do të kalojë shumë shpejt, pastaj presioni konkurrues për prodhuesit tanë do të jenë i rëndë.
Radio Evropa e Lirë: Kosova vazhdon të ketë shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, ndërkohë rritja ekonomike nuk ka arritur të nivelin e duhur që të zbut këto probleme thelbësore që kanë qytetarët e Kosovës. Ku kanë ngecur institucionet?
Arian Zeka: Besoj që faji kryesor rëndon mbi institucionet e vendit që natyrisht na sjellën në këtë situatë. Institucionet nuk po arrijnë të krijojnë një mjedis më të favorshëm për investitorët e huaj. Zhvillimi më i hovshëm ekonomik nuk mund të ndodh duke u bazuar vetëm në kapacitet e brendshme afariste.
Ne duhet të jemi shumë më agresiv në promovimin e mundësive për të investitorët e huaj që të investojnë në vendin tonë. Ne këtu nuk punojmë sa duhet sidomos nuk punojmë sa duhet nëse krahasohemi me shtetet e rajonit.
Treguesi më i mirë sesa pak bëjmë për tërheqjen e investime të jashtme janë edhe statistikat e vitit 2016 ku tregojnë se nga viti në vit kemi pasur rënie.
Pavarësisht se sa mirë rangohemi në raportin e Bankës Botërore apo raportet e organizatave tjera, ku zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës flasin me shumë mburrje e njëjta nuk po përkthehet në të arritura në terren, me shtim të vlerës së investimeve të huaj dhe investitorëve serioz dhe të rinj.
As në aspektin politik as në aspektet të tjera si sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit shtete e rajonit nuk janë kampion ose që ndërmarrin masa të caktuara, por ata janë më të suksesshëm në promovimin e mundësive për të investuar në vendet e tyre. Ky promovim neve si shtet na mungon.
Radio Evropa e Lirë: Ligji për investime strategjike në Kosovë i miratuar tanimë sa është arritur të promovohet tek investitorët potencial dhe si i tillë ky ligj a ka arritur që të tërheq vëmendjen e investitorëve në veçanti atyre amerikanë?
Arian Zeka: Ne vazhdimisht si Odë Amerikane, flasim për çështjen e dinamikës së ngathtë institucionale në rregullimin e të gjitha problemeve që e karakterizojnë vendin tonë.
Është mirë që Kuvendi i Kosovës ka miratuar këtë ligj, po ashtu është mirë që Gjykata Kushtetuese e ka dhënë dritën e gjelbër se ky ligj nuk cenon parimet kushtetuese të vendit tonë, por ky ligj duhet të përcillet me legjislacionin sekondar dhe institucionet tona atë afatin maksimal prej gjashtë muajve po e respektojnë pavarësisht faktit që në këtë rast bëhet fjalë për diçka të natyrës më urgjente.
Për momentin, Ligji për Investime Strategjike nuk mund të zbatohet pasi që nuk ekzistojnë dispozitat e legjislacionit dytësor të cilat do të mund të ju ofrojnë përfitime investitorëve potencial strategjik.
Si Odë Amerikane nuk kemi synuar që të promovojmë ende këtë mundësi para investitorëve si dhe kemi organizuar ngjarje në SHBA apo ne vende tjera evropiane pasi që dëshirojmë që nëse ka interesim të investitorëve potencial ata ta kenë tërë kornizën ligjore të kompletuar për këtë ligj.
Po presim nga ana e institucioneve të Kosovës që të finalizojnë udhëzimet administrative të këtij ligji që më pas investitorët të vinë dhe të mund të nisin negociatat me trupat ndërqeveritar duke përfituar nga ekzistimi i një ligji të tillë. (REL)