Ligji i punës nuk gjen zbatim, kërkohen ndryshime

Ilustrim, Prishtina

Ligji i punës në Kosovë ndonëse i miratuar shtatë vite më parë nuk ka arritur të gjejë zbatim të duhur, në veçanti në sektorin privat.

Mungesa e kontratave të punës, orari i stërzgjatur i punës, pushimi i lehonisë, pagesa jo e rregullt, janë vetëm disa nga shkeljet që punëdhënësit në Kosovë iu bëjnë punëtorëve të tyre, bëjnë të ditur përfaqësues të punëtorëve.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se shkelje të ligjit të punës bëhen më së shumti në sektorin privat.

“Shkeljet janë tek kontrata e punës, stërzgjatja e orarit të punës, mos pagesa më kohë e pagave, mos pagesa jashtë orarit të punës dhe festave. Po ashtu tek çështja e lehonave, kjo dispozitë ligjore nuk është respektuar dhe tani me ndryshimet që pritet të bëhen në ligjin e ri do të behën pikërisht te neni i pushimit të lehonisë”, thotë Arifi.

Ndryshimet në Ligjin e punës, të cilat pritet të ndodhin gjatë këtij viti, i ka konfirmuar edhe Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Inspektoratin e Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Ligji i punës ka gjetur zbatim të mirë në Kosovë dhe është një ligj përmbajtjesor që rregullon bukur mirë fushën e marrëdhënies së punës. Mirëpo ka dy tre vite me radhë që shkon në draftim, por që nuk ka përfunduar. Për shkak të interesimit të grupeve të caktuara të interesit është ngritur çështja e ndryshimit të ligjit të punës edhe në këtë vit është në ndryshim, por që nuk ka përfunduar ende”, thekson ai.

Ibrahimi thekson se janë disa dispozita ligjore të Ligjit të punës që nuk kanë gjetur zbatim e që si të tilla kërkojnë të ndryshohen.

Ndryshimet, shton Ibrahimi, janë kërkuar të ndodhin tek pushimi i lehonisë, pasi që punëdhënësit kanë theksuar se ky nen i ngarkon ata.

Sipas ligjit aktual, pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj; 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi në kompensim prej 70 për qind të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës, në bazë të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë.

“Punëdhënësit kanë kërkuar që kjo shpërndarje të bëhet më ndryshe. Ka pasur diskutime të ndryshme. Shumë herë thuhet se ky nen po ndikon në punësimin e gruas. Duke pasur parasysh që në Kosovë mungojnë sigurimet sociale dhe nëse kjo shpërndarje bëhet më shumë për Qeverinë e Kosovë do të bëhet barrë për buxhetin e Kosovës, por edhe nëse i lihet punëdhënësit për gjashtë muaj është ngarkesë bukur e madhe, dhe unë mendoj se duhet të ndryshohet”, thekson Ibrahimi.

Shkeljet e ligjit të punës ishin evidentuar edhe në hulumtimin e fundit të Institutit Riinvest, ku thuhej se mbi 80 për qind e të punësuarve punojnë në të zezë.

Enisa Serhati, hulumtuese në Institutin “Riinvest”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nga hulumtimi i bërë ku tregohet se niveli i punësimit në të zezë është në shkallë të lartë tregon se Ligji i punës nuk ka gjetur zbatim në Kosovë.

“Ajo çka e kemi marrë nga rezultati ku tregojnë për një nivel të lartë të ekonomisë jo formale dhe të punësimit në të zezë tregon për moszbatim të ligjit të punës. Situata ka rezultuar në një rreth vicioz ku në njërën ana punëtorët e kanë humbur besimin në institucionet publike dhe e pranojnë evazionin fiskal apo mos regjistrimin e punës pasi që nuk besojnë që tatimin që ata e paguajnë mund të shkojë në benefit të shoqërisë”, thekson Serhati.

Sipas shifrave zyrtare, në Kosovë janë të punësuar mbi 300 mijë persona, nga kjo 80 mijë në sektorin publik, kurse në sektorin privat janë të punësuar mbi 222 mijë punëtorë.(REL)