McCain anashkalon Maqedoninë në vizitën në Ballkan

  • Blagoje Kuzmanovski

Maqedonia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është pjesë e turneut të senatorit amerikan John McCain.

Fakti që ky senator, me ndikim nga radhët e republikanëve dhe ish kandidat për president, anashkalon Maqedoninë është një porosi e fuqishme diplomatike për krizën në Maqedoni, vlerësojnë analistët.

Denko Maleski, ish ministër i Punëve të Jashtme, beson se senatori John McCain është këshilluar që ta anashkalojë Maqedoninë për shkak të situatës politike e cila nuk po zgjidhet ashtu siç praktikohet në shtetet demokratike ku bëjnë pjesë edhe SHBA-të

“Kjo tek ne nuk është praktikuar, që edhe e shkualifikon garniturën aktuale e cila pengon proceset demokratike. Ajo nuk mund të jetë bashkëbiseduese me personalitete të spikatura të botës demokratike. Këtu mendoj se qëndron thelbi se pse ky senator që ka ndikim të madh në politikën e jashtme amerikane, nuk do ta vizitojë Maqedoninë”, thotë Maleski.

Edhe Mersel Bilalli, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Fon të Shkupit thotë se anashkalimi i Maqedonisë është një mesazh i qartë se diçka nuk është në rregull me Maqedoninë.

“Neve na vizitojnë vetëm ata diplomatë që duhet të na rikujtojnë se duhet t’i kryejmë obligimet tona. Niveli i vizitave të senatorit John McCain ndodhë në ato shtete në të cilat gjërat vlerësohen si relativisht normale, por ne jemi larg normales”, thotë Bilalli.

Nga ana tjetër, diplomati amerikan dhe eksperti për Ballkanin, Janush Bugajski në analizën e fundit shkruan për rritjen e ndikimit të Rusisë në rajon.

Sipas tij, Moska po hap fronte të rajon në Ballkan me qëllim që të përkeqësojë krizën politike në Maqedoni.

Qëllimi i kësaj, sipas Bugajskit, nuk është vetëm zvogëlimi i shanseve për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, por edhe që Ballkanin ta çojë në gjendje të konfliktit, me çka do të vinte në pah dobësitë e perëndimit dhe forcimin e rolit të Rusisë. (REL)