Kriza në Maqedoni: Kërkohet presion më i fuqishëm nga jashtë

Protestat në Shkup të Maqedonisë kundër platformës së partive shqiptare

Kriza politike në Maqedoni mund të përkeqësohet edhe më shumë nëse VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit vazhdon të mbajë të bllokuar procesin e zgjedhjes së institucioneve të reja. Përveç bllokimit të seancës së Kuvendit për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe të Qeverisë së re, tani është bllokuar edhe pushteti lokal nga pamundësia e shpalljes së zgjedhjeve të parapara për në muajin maj.

Njohësit e çështjeve politike theksojnë nevojën e një presioni më të madh të bashkësisë ndërkombëtare, e cila sipas tyre, mund të ketë rol vendimtar në momentin nëpër të cilat po kalon Maqedonia. Analisti Mitko Gaxhovski thotë se bashkësia ndërkombëtare ishte vendimtare për mbajtjen e zgjedhjeve të 11 dhjetorit, andaj, sipas tij, ajo duhet që ta çojë deri në fund edhe procesin e formimit të Qeverisë së re.

Derisa bashkësia ndërkombëtare mbante kontakte me partitë politike për të gjetur një zgjidhje të mundshme, kishim rezultate dhe kishte një zgjidhje. Prej kur u tërhoq faktori ndërkombëtare, këtu mendoj në BE-në dhe SHBA-të, ne jemi dëshmitarë se Maqedonia ka hyrë thellë në krizën politike dhe ky thellim po vazhdon çdo ditë e më tepër. Mendoj se vetëm me kyçjen aktive të ndërkombëtarëve ne do të mund të tejkalojmë këtë ngërç politik”, thotë Gaxhovski.

Ambasadori amerikan në Shkup Jess Baily të martën kërkoi nga partitë që të punojnë për zgjidhjen e krizës politike duke theksuar nevojën e formimit të shpejt të Qeverisë.

Ka pasur zgjedhje kredibile në dhjetor, Kuvendi ka filluar me punë, shumica parlamentare është formuar dhe mendojmë se nuk është në pajtueshmëri me parimet demokratike dhe Kushtetutën moslejimi i procesit të formimi i Qeverisë”, ka thënë ambasadori amerikan, Jess Baily.

Porosi të ngjashme përcolli edhe zyra e NATO-së në Shkup, duke theksuar nevojën e konsolidimit të institucioneve dhe zbatimin e reformave prioritare.

Mersel Bilalli, profesor i së drejtë ndërkombëtare në Universitetin FON të Shkupit, pret forcimin e presionit nga jashtë, në veçanti nga SHBA-të ndaj, siç thotë, drejtuesve të papërgjegjshëm të institucioneve në Maqedoni, të cilët në vend të zgjidhjes së problemeve, punojnë në dëm të interesave të qytetarëve.

Për fat të keq pikërisht institucioni i cili është përfaqësues i qytetarëve, i cili duhet të përfshijë të drejtat e tyre përfshirë edhe krizën politike, ai bën të kundërtën, ua vështirëson jetën qytetarëve duke bërë obstruksione të ndryshme. Unë mendoj se bashkësia ndërkombëtare definitivisht është e lodhur me gjendjen në Maqedoni dhe çdo dalje nga kontrolli i gjendjes në Maqedoni do të ketë domino efekt edhe në shtetet tjera të rajonit andaj edhe është një bure baruti. Besoj se edhe faktori amerikan pritet që ditëve të ardhshme të kyçet, në radhë të parë për shkak të paqes dhe sigurisë në rajon”, thotë Bilalli.

Analisti Mitko Gaxhovski nga ana tjetër nuk e përjashton mundësinë që të ketë nismë për takim të ri të liderëve apo për arritjen e një marrëveshjeje të re.

Është e mundur marrëveshja e re, pra Përzhino 3. Ndonjë model i ri i cili do të ishte i pranueshëm për të dyja palët politike dhe do të menaxhohej nga faktori ndërkombëtar”, thotë Gaxhoski.

Shkas për thellimin e mëtejmë të krizës është deklarata e partive shqiptare që parasheh avancimin e të drejtave kombëtare, para se gjithash zyrtarizmin e gjuhës shqipe. Por, VMRO-ja dhe presidenti e kanë kundërshtuar duke e cilësuar si rrënuese të shtetit të Maqedonisë andaj edhe pengojnë formimin e Qeverisë së re mes partive shqiptare dhe LSDM-së opozitare të Zoran Zaevit, i cili ka pranuar miratimin e një ligji të ri për shqipen si dhe të debatojë për të gjitha pikat tjera të deklaratës politike shqiptare. (REL)