Ekspertët për krime të luftës të Kombeve të Bashkuara e kanë hapur hetimin për sulmin e dyshuar kimik në Idlib të Sirisë, nga i cili, të martën, u vranë së paku 72 vetë.
Një komision hetimor për Sirinë i Kombeve të Bashkuara tha se e ka hapur hetimin nëpërmjet një deklarate me të cilën dënohet sulmi.
Në këtë deklaratë, po ashtu dënohet marrja e dyshuar në shënjestër e një kapaciteti mjekësor, ku po trajtoheshin viktimat e sulmit dhe konstatohet se të dy aksionet “mund të jenë krime të luftës dhe shkelje serioze e të drejtave të njeriut”.
I dërguari për Sirinë i Kombeve të Bashkuara, Staffan de Mistura, u tha gazetarëve në Bruksel se të gjitha indikacionet janë se ky “ishte sulm kimik dhe ishte kryer nga ajri”.
Ky sulm është dënuar nga zyrtarë të lartë të shumë shteteve.
Presidenti amerikan, Donald Trump, nëpërmjet një deklarate, tha se sulmi ishte “i neveritshëm dhe nuk mund të injorohet”.
Ai i ka fajësuar aksionet “mizore” të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, për shkak të “dobësisë dhe jovendosmërisë” të ish-presidentit amerikan, Barack Obama.
Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, tha se Rusia dhe Irani, si aleatët kryesorë të Assadit dhe garantues të procesit të armëpushimit në Astana, “bartin përgjegjësi të madhe” për sulmin në Idlib të Sirisë.
Ai u ka bërë thirrje Moskës dhe Teheranit që ta shfrytëzojnë ndikimin e tyre për të siguruar se nuk do të ndodhin sulme të tilla të ngjashme në të ardhmen.
Presidenti i Francës, Francois Hollande, tha se presidenti Assad e bartë përgjegjësinë për këtë “masakër” dhe ka bërë thirrje për “ata që e mbështesin këtë regjim, që përsëri të reflektojnë për këtë mizori të përgjegjësisë së tyre politike, strategjike dhe morale”.
Sekretari i jashtëm britanik, Boris Johnson, tha se nëse dëshmohet se qeveria e Sirisë e ka kryer këtë sulm kimik, atëherë kjo “pa mëdyshje do të ishte krim lufte dhe ata duhet të mbahen përgjegjës”.
Mëtutje, sekretari Johnson theksoi:
“Të gjitha provat që i kam parë sugjerojnë se ishte regjimi i Assadit, që e ka bërë këtë me dijeni të plotë se ata po shfrytëzonin armatim ilegal në sulmin barbar kundër popullit të vet”, tha Boris Johnson.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka dënuar sulmin duke e vlerësuar si një sulm “jonjerëzor”, i cili mund t’i rrezikojë bisedimet për arritjen e paqes.
Burime presidenciale turke thanë se këto komente zoti Erdogan i kishte bërë gjatë një bisede telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Qeveria e Sirisë i ka hedhur poshtë pohimet se e ka kryer këtë sulm kimik, duke thënë se i ka shkatërruar “depot e armatimeve kimike të terroristëve” në qytetin, Khan Shekhoun.
Ushtria e Sirisë, po ashtu, e ka hedhur poshtë pretendimin se ka përdorur armatim kimik.
Numri i të vrarëve nga sulmi i dyshuar me armatim kimik kundër qytetit, Khan Sheikhoun, nën kontrollin e kryengritësve në Siri, ka arritur në 72 vetë, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur, tha Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri.
Në lutën civile tashmë gjashtëvjeçare në Siri janë vrarë së paku 300 mijë vetë, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur.
Një hetim i udhëhequr nga Kombet e Bashkuara ka konkluduar se qeveria e Sirisë e kishte përdorë gazin e klorit si armatim së paku tre herë në vitin 2014 dhe 2015.
Përgatiti: Fatmir Bujupi