Stoltenberg: NATO do ta hapë zyrën ndërlidhëse në Moldavi

Bruksel, 30 mars 2017.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i mbrojti planet për hapjen e zyrës ndërlidhëse në Moldavi, duke thënë se ajo mund të ndihmojë në lehtësimin e partneritetit praktik midis dy palëve.

NATO do ta hapë shpejt zyrën në Kishinev, tha Stoltenberg, pas bisedimeve në Bruksel me kryeministrin e Moldavisë, Pavel Filip.

Stoltenberg tha se zyra do të jetë si “mision i vogël diplomatik, me vetëm staf civil”.

Ai tha se aktivitetet e bashkëpunimit midis NATO-s dhe Moldavisë janë kërkuar nga Kishinevi dhe se neutraliteti i vendit është respektuar.

“Është absolutisht e mundur të forcohet tutje bashkëpunimi ynë me Moldavinë, duke respektuar neutralitetin e Moldavisë”, tha Stoltenberg.

Qeveria pro-perëndimore e Moldavisë ka nënshkruar marrëveshjen me NATO-n për zyrën ndërlidhëse në muajin nëntor.

Por, presidenti pro-rus i Moldavisë, Igor Dodon, i cili ka marrë detyrën në dhjetor, e ka kundërshtuar planin.

“Zyra e NATO-s në Kishinev, në një vend neutral, është provokim”, i ka thënë ai Radios Evropa e Lirë në muajin shkurt.