Luftimi i terrorizmit: Deradikalizimi fillon nga familjet, shkollat, lagjet deri te burgjet

Ilustrim

Kosova ka demonstruar vullnet dhe unitet për të luftuar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një ligjërate para studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë.

Ministri Hyseni tha se Kosova nuk mund të konsiderohet si përjashtim nga fenomeni i terrorizmit dhe luftëtarëve të huaj.

Kosova, tha ai, ka një polici të shkëlqyeshme, por askush nuk mund të garantojë se nuk do të ketë sulme terroriste, sepse këtë nuk mund ta garantojnë as shtetet tjera.

Ai tha se vendi ndodhet në fazën e post-radikalizmit. Sipas tij, tani puna më e madhe duhet të jetë, jo vetëm në parandalimin e pjesëmarrjes në luftërat e huaja, por edhe në parandalimin e njerëzve që kanë marrë pjesë në ato luftëra, që të ndikojnë negativisht te pjesa tjetër e popullatës.

Në vazhdim, Hyseni tha po ashtu se ka disa faktorë që ndikojnë në radikalizmin e popullatës, sidomos të rinjve. Gjendja e rëndë sociale por edhe ligjëratat e disa imamëve, janë veçuar si faktorë me rendësi që kanë ndikuar në radikalizim.

Unë jam kundër mënyrës së predikimeve që bëjnë disa imamë, qoftë në Kosovë apo jashtë saj. Ne në Kosovë, për dekada kemi kultivuar një islam tradicional, i cili bazohet në tolerancë dhe paqe”, tha Hyseni.

Një numër i kosovarëve u ishin bashkuar fronteve të huaja të luftës në Siri e Irak, duke u vënë në krah të organizatave të shpallura terroriste.

Por, edhe institucionet kanë ndërmarrë disa veprime, përfshirë edhe miratimin e Ligjit që sanksionon pjesëmarrjen në luftërat e huaja”, tha Hyseni. Ai përmendi me këtë rast edhe strategjinë kundër radikalizmit dhe ekstremizmit.

Bazuar në këtë strategji, Kosova kishte ndërtuar edhe planin për deradikalizimin e këtyre njerëzve.

Deradikalizimi, vijoi ai, përfshinë të gjitha fushat, nisur nga familjet, shkollat dhe gjithë komunitetin. Kurse, një aktivitet i veçantë, sipas tij, zhvillohet edhe nëpër burgjet e Kosovës.

Po, ne në Kosovë kemi radikalizim edhe nëpër burgje, gjithashtu”, tha Hyseni, duke shtuar se jo të gjithë të radikalizuarit nëpër burgje, u takojnë veprave për terrorizëm, ngase ka persona që janë dënuar për vepra tjera, por radikalizmi i tyre ka ndodhur pikërisht gjatë qëndrimit në burg.

Për këtë arsye, ai tha se strategjia e deradikalizimit po zbatohet edhe nëpër burgjet e vendit.

Ndërkohë, Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politikat e Sigurisë tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova ndodhet në fazën fillestare të qartësimit të programit të deradikalizmit, ku nuk duhet të përfshihen vetëm ata që njihen si luftëtarë të huaj, por edhe ata që mund të jenë ndikuar nga rrymat radikale.

Definitivisht duhet të ketë program të qartë dhe të detajuar për punën e përbashkët me komunitetin, duke përfshi, familjen, shkollën, shoqërinë e shkollës, shoqërinë e fëmijërisë, komunitetin e besimtarëve praktikues respektivisht të xhematit, komunitetin e imamëve, përkatësisht rolin e Bashkësisë Islame dhe komunitetin në tërësi, lagjen, vendbanimin, deri te niveli i përgjithshëm komunal”, ka thënë Ramadani.

Po ashtu, ka nënvizuar Ramadani, institucionet e Kosovës, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë, duhet të angazhohen në fuqizimin e rolit të forumeve lokale të sigurisë.
Ashtu siç ka ndodhë radikalizmi në komunitet, duhet të ndodhë tash edhe deradikalizimi në komunitet”, ka theksuar ai.

Të paktën 300 shtetas të Kosovës u janë bashkuar luftimeve në Lindjen e Mesme që prej fillimit të krizës në atë rajon.

Autoritetet e sigurisë thonë se edhe rreth 140 persona kanë mbetur në vatrat e krizës, përfshirë gra dhe fëmijë.

Një numër prej mbi 100 pjesëmarrësish në luftëra janë rikthyer në Kosovë, një pjesë e të cilëve janë arrestuar dhe dënuar, ndërkohë që një pjesë tjetër ende po përballen me drejtësinë.

Autoritetet në Kosovë thonë se rehabilitimi i të radikalizuarve nuk mund të bëhet përmes amnistisë, por përmes “programeve rehabilituese dhe të risocializimit”, pa përjashtuar edhe masat ligjore. (REL)