Ish-ndihmësi i Trumpit pajtohet të dëshmojë në hetimet për Rusinë

Paul Manafort

Ish-menaxheri i fushatës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Paul Manafort, është shprehur i gatshëm të dëshmoj në një komitet të Dhomës Përfaqësuese, i cili po zhvillon hetime për ndërhyrjen e Rusisë në fushatën presidenciale të Shteteve të Bashkuara në vitin 2016.

Përfaqësuesi republikan, Devin Nunes, i cili e kryeson Komitetin e inteligjencës së Dhomës Përfaqësuese, tha mbrëmë se avokati i menaxherit të dikurshëm të fushatës së Trumpit, Paul Manafort, ka kontaktuar me komitetin e tij dhe ka ofruar që klienti i tij të bisedoj me ligjvënësit.

Ky komitet po zhvillon hetime lidhur me dyshimet për kontaktet e ndihmësve të Donald Trumpit me Rusinë, dhe po ashtu, për atë që zyrtarët e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara e kanë përshkruar si ndërhyrje e drejtuar nga Kremlini në zgjedhjet amerikane.

Anëtari i Dhomës Përfaqësuese, Devin Nunes, e ka falënderuar zotin Manafort për “gatishmërinë” e paraqitur dhe tha se hetuesit kongresionalë “i inkurajojnë të tjerët me njohuri për këto çështje, që vullnetarisht të intervistohen nga komiteti”.

Nunes tha se ky komitet do të koordinohet me avokatët e Manafortit se a do të jetë dëshmia e tij publike.

Jason Maloni, zëdhënës i Paul Manafortit, ka konfirmuar se Manafort do të dëshmojë në hetimin kongresional.

“Zoti Manafort i ka udhëzuar përfaqësuesit e tij që të kontaktojnë me personelin e komitetit dhe të ofrojnë dhënie vullnetare të informacioneve lidhur me akuzat aktuale për ndërhyrjen ruse në zgjedhje”, i tha Jason Maloni të përditshmen New York Times.

“Ashtu siç gjithnjë ka mbajtur qëndrim zoti Manafort, ai e pret me kënaqësi këtë takim me ata që po zhvillojnë hetime serioze për këto çështje për të diskutuar për fakte”, tha Maloni.

Ky informacion për dëshminë e propozuar të zotit Manafort po bëhet disa ditë pasi agjencia Associated Press (AP) ka raportuar se Manafort, më herët, kishte punuar për pasanikun rus, Oleg Deripaska, i cili ka lidhje me Kremlinin, dhe se para vitit 2005 e kishte propozuar një strategji politike, ku përfshihej ndihma publike në fushatë për përfitime të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Manafort pati dhënë dorëheqje nga posti i shefit të fushatës zgjedhore të Donald Trumpit, në gusht të vitit 2016, pas raporteve për pagesa të paligjshme të ndërlidhura me punën e tij paraprake për partinë politike të ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovich, që ishte aleat i Rusisë.

Drejtori i agjencisë amerikane FBI, James Comey, më 20 të këtij muaji, publikisht ka konfirmuar se agjencia e tij po bënte hetime për komunikimet ndërmjet zyrtarëve rusë dhe ndihmësve të zotit Trump.

Agjencitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara në muajin janar të këtij viti e kanë publikuar një raport, në të cilin vlerësohej se Rusia kishte ndërmarrë fushatë të sulmeve kibernetike për të ndikuar në denigrimin e Hillary Clintonit, rivale demokrate e zotit Trump.

Presidenca e Rusisë i ka hedhur poshtë këto akuza.

Pasi fillimisht ishte shprehur skeptik për këto vlerësime, zoti Trump tash tha se Rusia kishte dorë në fushatën e sulmeve të hakerëve. Por, Trump vazhdon të insistoj se kjo fushatë nuk ka pasur ndikim në rezultatet e zgjedhjeve.

Shtëpia e Bardhë, më herët këtë javë, ka thënë se Trump nuk kishte njohuri se ish-menaxheri i fushatës së tij, Paul Manafort, kishte punuar për Deripaskën dhe kishte propozuar strategji politike për ta ndihmuar Putinin.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, më 22 mars ka insistuar se puna e Manafortit për Deripaskën kishte ndodhur para një dekade dhe është e parëndësishme për punën e Manafortit në fushatën zgjedhore të zotit Trump në vitin 2016.

Përgatiti: Fatmir Bujupi