SHBA: Republikanët papritmas e tërhoqën legjislacionin për kujdes shëndetësor

Paul Ryan

Presidenti amerikan, Donald Trump, u ka thënë liderëve republikanë në Dhomën Përfaqësuese, që ta anulojnë votimin e planifikuar për propozim-legjislacionin e kujdesit shëndetësor, që kishte për qëllim shkatërrimin e një ligji të nënshkruar nga ish-presidenti, Barack Obama.

Një zëdhënës i kryesuesit të Dhomës Përfaqësuese, Paul Ryan, tha mbrëmë se ky legjislacion është tërhequr pasi Trump e ka thirrur zotin Ryan dhe ka kërkuar nga ai që ta ndalë debatin pa votim.

Pardje, zoti Trump kishte kërkuar që kjo dhomë të votonte për legjislacionin e tij dhe tha se nëse kjo masë nuk do të miratohej, atëherë ai do të kalonte në çështjet e tjera.

Pak kohë para se legjislacioni i propozuar të tërhiqej, zoti Ryan është cituar nga rrjeti CNN duke thënë se nuk ka pasur mbështetje të nevojshme në mesin e ligjvënësve republikanë për miratimin e kësaj mase.

Shfuqizimi i legjislacionit për kujdesin shëndetësor të ish-presidentit, Barack Obama, i njohur me emrin Obamacare, ishte njërpi prej premtimeve kryesore të zotit Trump, gjatë fushatës së tij zgjedhore presidenciale në vitin 2016.