Mjekët të nënçmuar me kategorizim, presin nivelizimin e pagave

Ilustrim

Ligji për pagat mbetet një nga prioritetet e vazhdueshme ligjore, por që nuk është miratuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Mungesa e këtij ligji e mban të padefinuar nivelizimin e pagave.

Sikurse në shumë fusha tjera, edhe sektori i shëndetësisë konsiderohet se vuan nga mosdefinimi i kategorizimit të pagave.

Si rrjedhojë e kësaj gjendjeje, të gjithë mjekët specialistë, pavarësisht në çfarë fushe punojnë, paguhen njësoj, përkatësisht me një pagë prej rreth 600 euro në muaj.

Kategorizim nuk ka as për infermierët, të cilët paguhen nga rreth 400 euro në muaj, pavarësisht se në cilin sektor shëndetësor punojnë.

Ndryshe paga minimale e caktuar me vendim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2011, ka mbetur e pandryshuar që nga ajo kohë.

Për gjashtë vjet me radhë, paga minimale në Kosovë ka mbetur 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Ndërkaq, paga mujore mesatare për punonjësit në institucionet publike është 429 euro, derisa në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.

Ndryshe, 120 deputetë të Kuvendit të Republikës se Kosovës, marrin pagë mujore mbi 1500 euro në muaj, derisa gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre.

Mjekët specialistë kanë kërkuar që pagat e tyre të jenë në nivel me një deputet.

Blerim Syla, kryetar i Fderatës Sindikale të Shëndetësisë i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se po që se ligji i pagave, tashmë i shkruar, ka paraparë që koeficienti i mjekut të jetë 2.7. Nëse miratohet si i tillë, atëherë, sipas Sylës, do të bojkotohet e gjithë punë në sistemin shëndetësor.

“Sa i përket ligjit mbi pagat dhe koeficientin që është propozuar, qëllimi i Federatës është i prerë. Ky nuk guxon të kalojë si i tillë dhe ky do të jetë shkaku që sindikata do të merr vendime radikale. Nëse koeficienti rangohet 1 deri në 11, mjeku specialist me 24 vjet shkollë, kalon me 2.7, kjo është e patolerueshme”, ka thënë Syla.

“Kjo është në nivelin më të ulët. Ne s’kemi çka të flasim më. Por, nëse ky ligj miratohet, atëherë do të bllokojmë tërë sistemin e shëndetësisë”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, Isni Kilaj, zëvendësministër në Ministrinë e Financave, ka thënë se ndonëse implikimet buxhetore për nivelizimin e pagave ende nuk dihen, mjete financiare, sipas tij ka, por që duhet ende punë deri në procedimin e ligjit në Kuvend.

Jo nuk besoj se mund të ndodhë shpejtë nivelizimi i pagave, pasi ligji ende nuk ka shkuar në Kuvendin e Kosovës. Edhe nëse aprovohet, duhet pritet 6 muaj deri në implementimin e ligjit. Se kur do të shkojë ky ligj në Kuvend, tani nuk mund ta parashikoj, pasi nuk kam informacione”, ka theksuar Kilaj.

Sa u përket të hollave për nivelizimin e pagave, unë nuk i di implikimet buxhetore për sistemin e shëndetësisë, por nuk është problemi tek të hollat, sa është problem t’i bindim njerëzit adekuat për ta shtyrë këtë ligj që të bëhet nivelizimi i pagave”, ka thënë Kilaj.

Edhe profesionistë shëndetësorë thonë se ndonëse është pritur gjatë që të bëhet nivelizimi i pagave, ligji nuk parasheh ndryshime të mëdha.

Basri Lenjani drejtor i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk pret që të ketë ndryshime të mëdha, sa i përket nivelizimit të pagave.

“Mendoj se shteti i Kosovës duhet ta blejë trurin, dhe kështu do të kemi një kujdes sa më cilësor të ofrimit të kujdesit shëndetësorë emergjent. Unë kam arritur ta lexoj ligjin për pagat dhe atë çka përfitojnë profesionistët shëndetësorë. Me nivelizim nuk preken profesionistë shëndetësorë, e gjithë rritja e paraparë mund të konsiderohetsi asistencë sociale për profesionistët e kujdesit shëndetësorë në tri nivelet e organizimit të kujdesit shëndetësorë”, ka thënë Lenjani.

Ndërkaq, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se tash për tash çështja e pagave në sektorin shëndetësor është e zgjidhur në dy aspekte. Ata që janë shërbyes civil dhe në administratë paguhen sipas Ligjit për Shërbimin Civil. Ndërsa, ata që punojnë dhe ofrojnë shërbime shëndetësore, paguhen sipas Ligjit të Punës.

Sipas tyre, Ministria e Shëndetësisë është e interesuar të shoh sa më parë një ligj i cili do të rregullonte në formë lineare çështjen e pagave.