BDI-ja pjesë e Qeverisë me LSDM-në, VMRO-ja intensifikon protestat

Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti

Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim ka vendosur që të jetë pjesë e Qeverisë dhe shumicës së ardhshme parlamentare që do të drejtohet nga Lidhja Social-Demokrate e Zoran Zaevit.

Vendimi i Kryesisë BDI-së, siç thuhet në njoftimin e publikuar pas mbledhjes që ka zgjatur deri në mesnatën e ditës së premte, është që të reflektojë vullnetin e shqiptarëve, si dhe për të zbatuar reformat që do ta çojnë vendin drejt proceseve euro-integruese.

“Participimi ynë në këtë qeveri është si rezultat i vullnetit të shprehur të popullit shqiptar në zgjedhjet e 11 dhjetorit, si dhe për të realizuar programin që e kishim si përbetim para votuesve shqiptarë dhe të jetë pjesë e një qeverie në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, për të formuar një shtet juridik dhe për të garantuar rrugën e integrimi në NATO dhe BE”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

BDI-ja ka kërkuar nga presidenti Gjorgje Ivanov që të respektojë shumicën e re parlamentare dhe menjëherë t’i japë mandatin social-demokratit Zoran Zaev për formimin e Qeverisë.

BDI-ja, gjithashtu, ka diskutuar edhe lidhur me reagimet e shumta ndaj platformës shqiptare duke hedhur poshtë të gjitha akuzat se gjoja ajo rrënon karakterin unitar të shtetit.

Partia që drejtohet nga Ali Ahmeti vlerëson se deklarata politike është në përputhje të plotë me Kushtetutën, e cila garanton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

“Këto janë çështje shumë parimore, shumë të rëndësishme që lidhen drejtpërsëdrejti edhe me përmbylljen e vetë Marrëveshjes së Ohrit, si një dokument i cili e prodhoi paqen, instaloi paqen në Republikën e Maqedonisë dhe aspak nuk është menduar që të bëhen lëshime të tilla. Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm, të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm që të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës dhe jo në përkeqësimin e saj”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, para mbledhjes së Kryesisë partiake.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e kërkimit të zgjidhjeve tjera kushtetuese për konstituimin e organeve të reja, në rast se presidenti Ivanov refuzon të tërheqë vendimin për mos-mandatimin e liderit opozitar Zoran Zaev për kryeministër të ri.

VMRO DPMNE-ja ka bërë të ditur, ndërkohë, se me të gjitha mjetet e mundshme do ta kundërshtojë formimin e qeverisë së re për shkak të pretendimit se me pranimin e platformën shqiptare nga ana e LSDM-së, “rrënohet karakteri unitar i shtetit”.

VMRO-ja, si mundësi për dalje nga gjendja e krijuar, sheh zgjedhjet e jashtëzakonshme, në të cilat, sipas saj, “qytetarët do të deklarohen se a janë apo jo për platformën shqiptare të hartuar në Tiranë”.

Kjo mendoj se është mënyra më e mirë për dalje nga kriza. Nëse më parë vlerësonim se zgjedhjet janë mënyra më e mirë për dalje nga kriza, tani shohim se zgjedhjet e 11 dhjetorit e përkeqësuan edhe më shumë gjendjen, para se gjithash për shkak të platformës shqiptare, e cila u arrit pas zgjedhjeve në një shtet tjetër. Vlerësojnë se duhet të ketë zgjedhje të reja që populli të vendosë nëse do ta pranojë ose jo një dokument të tillë”, ka deklaruar Nikolloa Todorov nga VMRO DPMNE-ja, e cila ka intensifikuar protestat para institucioneve shtetërore, në veçanti para Qeverisë dhe Parlamentit pas njoftimeve se partitë e shumicës së re parlamentare mund të mblidhen për të formuar kabinetin e ri qeveritar.

Nga LSDM-ja janë përgjigjur me vlerësimin se zgjedhjet e reja mund të përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen, ndërsa i ka bërë thirrje VMRO-së që të respektojë vullnetin e qytetarëve “për ndryshime në Maqedoni”.

“Proceset demokratike kanë nisur dhe vullneti i qytetarëve i shprehur në 67 mandate, duhet të respektohet me formimin e qeverisë së re reformuese me institucioneve të pavarura demokratike”, thuhet në reagimin e LSDM-së. (REL)