“Koncesionimi” i klinikave të QKUK-së

Një ide e mëhershme për dhënien me koncesion të një pjese të Qendrës Klinike Universitare, që nënkupton një partneritet publiko-privat me qëllim të “rimëkëmbjes së saj”, është ringjallur sërish, sado që udhëheqës të institucioneve shëndetësore në vend thonë se “kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme tani për tani”.

Koncesionimi i një pjese të Qendrës Klinike Universitare, thonë ndërkaq zyrtarë të shëndetësisë, do të “nxirrte nga kriza vetë Klinikën.

Por, Ministria e Shëndetësisë thekson se është e përqendruar në një numër çështjesh të tjera “më emergjente”, sado që nuk e ka mohuar faktin se për “partneritetin publiko-privat në QKUK, është folur në të kaluarën”.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se kjo temë nuk është prioritet i institucionit.

”Tash për tash po punojmë në fuqizimin e shërbimeve aktuale, hapjen e shërbimeve të reja dhe fillimin e mbledhjes së premiumeve për Ligjin për sigurime shëndetësore. Për çështjen e koncesionimit, tash për tash, nuk është diskutuar diçka konkrete".

"Partneriteti publiko-privat është i paraparë me ligj, por nivelet më të larta shtetërore vendosin dhe përcaktojnë fushat e interesit dhe diskutojnë ku do të futen në partneritet”, tha Hoti.

Por, mundësia e koncesionimit të klinikave, brenda QKUK-së, thotë anëtari i bordit drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Shemsi Veseli, do të shënonte “një kapitull të ri për sistemin shëndetësor”.

"Gjasa ka dhe është e dobishme në këto rrethana që i ka Kosova e sidomos fusha e shëndetësisë. Ne kemi problem me infrastrukturën ligjore dhe unë mendoj që duhet të amandamentohen ligjet dhe t’i jepet një natyrë më specifike shëndetësisë, siç është Ligji i prokurimit, dhe më pas të përfshihen Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Parlamenti, që të bëhen amandamentime në mënyrë që t’i jepet mundësi institucioneve shëndetësore që të hyjnë në formën e partneritetit publiko privat".

"Por, edhe formën e lizingut që po ashtu është një lloj partneriteti e që ka mundësi të merret aparatura falas nga kompanitë e ndryshme dhe me çmimin e tregut të merren reagencat dhe shërbimi sidomos për diagnostikën e që mendoj se është ‘thembra e Akilit’. Kjo është edhe arsyeja që çalon shëndetësia”, ka thënë Veseli.

Ideja për një partneritet publiko-privat, që do të fuste nën koncesion disa klinika të QKUK-së, megjithatë nuk është parë si një ide e mirë nga udhëheqësi i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla.

"Unë do të apeloja tek qeveritarët që as të mos provojnë një gjë të tillë të dhënies së klinikave në duar të privatëve. Kjo do të sillte pasoja të paparashikueshme në shëndetësi. Do të zhvateshin pacientët, por edhe vetë punëtorët shëndetësorë do të kishin një disbalanc. Dikush do të merrte me mijëra euro, e dikush do të merrte paga mizerable çfarë edhe janë tash”, ka thënë Syla.

Sipas tij, ‘dhënia me koncesion e shëndetësisë publike nuk është treguar e suksesshme as në vendet e Bashkimit Evropian’.

"Koncesionimi nuk është treguar i suksesshëm as në shtetet më të zhvilluara si Gjermania. Edhe sot ata janë në krizë me punëtorët shëndetësorë. Shëndetësia është e shtrenjtë në përgjithësi. Dhe në qoftë se mendojnë se mos -ndarja e buxhetit adekuat për shëndetësinë, zgjidhje është koncesionimi, atëherë mendoj se është gabim. Ne jemi shumë kundër. Kemi marrë pjesë edhe në debate kur është diskutuar për këtë gjë, por ne gjithmonë kemi qenë kundër”, ka thënë Syla.

Por, anëtari i Bordit të SHSKUK, Shemsi Veseli, thotë se “pikërisht përvojat e Bashkimit Evropian janë treguar të suksesshme në koncesionim”.

"Konsideroj se përvoja e BE-së me formën e lizingut ka treguar sukses, pasi aparatura e tyre merret në shërbim tonin, derisa reagencat dhe rentgeni paguhet me shuma simbolike nga qytetarët. Por, tash me miratimin e Ligjit për sigurime shëndetësore çështja e pagesës do të rregullohej”.

Sistemi publik shëndetësor prej vitesh përballet me mungesë buxheti, ndërkohë që Qeveria e Kosovës i ka dedikuar kësaj fushe 180 milionë euro për vitin 2017.

Ky sistem ndërkaq, vlerësohet nga vetë instituconet shëndetësore, se vuan nga “mungesa e barnave nga lista esenciale, si dhe mungesa e aparaturës sidomos për diagnostikim të sëmundjeve".

Por, së fundi, Qendra Klinike Universitare të Kosovës së bashku me zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë duke e shqyrtuar mundësinë e marrjes së një kredie prej 50 milionë eurosh, në mënyrë që të blihen aparatet e nevojshme. (REL)