Zyrtarët publikë dyshohet se fshehin pasurinë

Ilustrim

Zyrtarët e lartë publikë të Kosovës në deklarimet e rregullta vjetore të pasurisë së tyre, në të shumtën e rasteve bëjnë deklarim të rrejshëm të pasurisë, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Nga deklarimet e pasurisë ndër vite që kanë bërë zyrtarët e lartë publikë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, figuron se ata kanë pasuri të paluajtshme, pasuri të trashëguar nga familja, para të gatshme dhe vetura luksoze.

Deklarimi i pasurisë i zyrtarëve publikë në Kosovë është një obligim ligjor dhe shmangia ose fshehja e të dhënave, thonë zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsion, mund të çojë drejt padisë në gjykata.

Drejtori i Agjencisë, Shaip Havolli, i tha Radios Evropa e Lirë se në rastet kur ka deklarime të rrejshme të pasurisë, bëhen hetime dhe rastet e tilla dërgohen në gjykata.

“Sa i përket asaj se sa janë real në deklarimin e pasurisë, bazuar në Ligj ne kemi të drejtë të bëjmë kontrollin e pasurisë dhe prejardhjen, në rast se hasim në mospërputhje ose nëse kemi informacion se një zyrtar nuk e ka deklaruar pasurinë e tij në formularin e deklarimit, fillojmë hetime dhe nëse ka elemente të veprës penale atëherë në këto raste i dërgojmë në prokurorinë përkatëse”, tha Havolli.

Mosdeklarimi apo deklarimi i rrejshëm i pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë përbën vepër penale që sanksionohet me dispozitat e Kodit Penal dhe që mund të rezultojë me gjobë, burgim deri nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe konfiskim të pasurisë së fituar në kundërshtim me ligjin.

Në shënimet zyrtare të AKK-së thuhet se janë dhjetëra raste kur Agjencia i është drejtuar gjykatave me padi për mosdeklarim ose deklarim të “pasaktë” të një numri të zyrtarëve, qoftë komunalë apo edhe ata të institucioneve të tjera. Gjykatat në raste të caktuara kanë liruar një numër të zyrtarëve “për shkaqe procedurale”.

Organizatat joqeveritare thonë se deklarimet e një numri zyrtarësh të lartë publikë po bëhen qëllimisht të “pasakta”.

Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nga hulumtimet e bëra kanë gjetur numër të konsiderueshëm të zyrtarëve të cilët nuk kanë bërë deklarim real të pasurisë.

“Ne si organizatë disa herë kemi bërë hulumtime dhe kemi vënë në pah pasuria që deklarohet nga zyrtarët publikë nuk është pasuria reale nga ajo që ata e kanë. Ajo pasuri që ata e deklarojnë është thjesht falë vullnetit që ata e kanë, dhe nuk e parqet realitetin. Kemi evidentuar disa herë biznese të zyrtarëve të lartë publikë që nuk i kanë deklaruar bizneset e tyre”, ka theksuar Demhasaj.

Demhasaj përveç tjerash thotë se zyrtarët e lartë publikë nuk deklarojnë pasurinë që kanë jashtë vendit dhe prejardhjen e saj. Problem themelor thotë ai janë mungesa e mekanizmave që kontrollojnë vërtetësinë e deklarimeve të pasurisë.

“Duhet të ndryshohet Ligji për Deklarimin e pasurisë dhe vendosen mekanizma që të obligohen zyrtarët që të deklarojnë pasurinë që e kanë jashtë shtetit dhe përveç kësaj të krijohen mekanizma brenda agjencisë që të kenë mundësi të verifikojnë këtë pasuri që mund të jetë jashtë shtetit”, thekson ai.

Për fuqizimin e mandatit të Agjencisë Kundër Korrupsion flet edhe drejtori i këtij institucioni, Shaip Havolli.

“Pritet që Agjencia të ketë mandat më fuqiplotë në aspektin e kontrollit dhe prejardhjes së pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë”, thekson Havolli.

Zyrtarisht procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, fillon nga data 1 mars dhe përfundon më 31 mars.

Deklarimit të pasurisë i nënshtrohen të gjithë zyrtarët e lartë publikë, me përjashtim të atyre që kanë deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës pas datës 1 janar të këtij viti.