“Lëmsh” në procesin e privatizimit

ilustrim

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, që nga fillimi është përcjell me dyshime për korrupsion, keqpërdorime dhe konflikte të interesave politike, thonë njohës të kësaj çështjeje, ndërkohë që këto deklarata mohohen nga zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ali Dragusha, ish nënkryetar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se dyshimet për keqpërdorime të llojeve të ndryshme, kanë ekzistuar që nga fillimi i procesit.

“Keqpërdorimet kanë mund të jenë të llojeve të ndryshme, duke ndërhyrë në çmimin e blerjes se ndërmarrjeve, statusin e tyre. Mandej nuk është monitoruar se më çfarë metode janë privatizuar ndërmarrjet. Në ndërkohë më blerësin kanë mundur të bëjnë manovrime të ndryshme, përderisa ka pasur raste që kanë pësuar më fatalitet. Të gjitha këto janë dyshime, që lidhen më një lëmsh shumë të madh në këtë drejtim”, thotë Dragusha

Por, ndryshe shprehet drejtori menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë, se procesi i privatizimit ka qenë dhe është transparent pa ndonjë parregullsi eventuale. Ai me theks të veçantë mohon zërat se gjatë këtij procesi mund të ketë ndodhur shpëlarje parash.

“Çdo pagesë që bëhet pas çdo shitje të aprovuar, realizohet përmes xhirollogarive bankare. Prandaj, çdo transaksion bankar, kontrollohet dhe konfirmohet nga autoritet e duhura shtetërore dhe nuk ekziston ndonjë hapësirë për dyshim për prejardhjen e mjeteve”.

“Kurse proceset që tashmë AKP-ja është duke monitoruar dhe duke i shtyrë përpara, nuk kemi dyshime për parregullsi”, shprehet Hajdari.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndër vite ka ngritur dy aktakuza ndaj zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, përmes postës elektronike Prokuroria thotë se “njëra është aktakuzë kundër një personi, ndërkaq tjetra është kundër shtatë personave”.

Të gjithë këta persona ngarkohen se kanë kryer veprën penale, siç thuhet në aktakuzë, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Sa i përket aktakuzave të ngritura nga Prokuroria Speciale, Ekrem Hajdari, thekson se këto akuza nuk janë ngritur për shpëlarje parash, por për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Nuk ndërlidhen me dyshime për shpëlarje parash. Akuzat kanë qenë të zyrtarëve të caktuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Do të thotë, procedura rreth procesit të shitjes apo edhe proceseve tjera në kuadër të AKP-së”, tha Hajdari.

Por, Ali Dragusha, thotë se në parregullsitë që e kanë përcjell procesin e privatizimit janë një “lëmsh”, ku, siç thotë ai, “grupe të caktuara kanë realizuar interesat personale dhe grupore”.

Me procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, gjithnjë të pakënaqur kanë qenë edhe përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, pasi sipas tyre, në organet udhëheqëse të AKP-së, vazhdimisht zgjidhen persona të partive politike.