Ligjëratat fetare jashtë kontrollit të institucioneve kompetente, niveli i ulët i arsimit, kushtet e vështira ekonomike dhe sociale, thuhet të jenë vetëm disa nga arsyet që çuan qytetarët e Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak.
Kosova ishte përballur që nga viti 2012 me përfshirjen e qytetarëve të saj në këto zona të luftërave.
Deri më tani, sipas autoriteteve të sigurisë, janë regjistruar rreth 316 persona që kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa në zonat e luftës vlerësohet se ndodhen edhe 140 të tjerë.
Thuhet se 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri më tani rreth 40 veta janë dënuar për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.
Ismajl Hasani, profesor i Sociologjisë së religjionit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, flet për disa nga faktorët që ndikuan në shkuarjen e të rinjve të Kosovës në luftërat në Lindjen e Mesme.
“Indoktrinimi i gjatë i disa prej klerikëve fetarë në mënyrën e predikimit nëpër institucionet fetare, sidomos disa prej njerëzve që vijnë prej shkollave të ndryshme, duke mbaruar studimet atje ku zhvillohet doktrina ekstreme e fundamentaliste dhe gjetja e një terreni të përshtatshëm që është i lidhur me bazën socio-ekonomike të popullatës, janë shkaktarët kryesorë që kanë sjellë deri te paraqitja e radikalizmit dhe ekstremizmit dhe shkuarja e qytetarëve të Kosovës në luftëra në vendet si Siria dhe Iraku, që mbase nuk kanë dëgjuar asnjëherë më parë”, thekson Hasani.
Lidhur me faktorët që çuan qytetarët e Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, thonë se kanë marrë të gjitha masat për përmirësimin e këtyre faktorëve.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, njëkohësisht koordinator nacional kundër terrorizmit, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë shënuar përparime në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit ekstrem fetar.
“Vetë fakti që më shumë se një vit nuk ka shkuarje të reja të qytetarëve tanë në luftërat e Lindjes së Mesme, flet për masat e ndërmarra nga mekanizmat e sigurisë dhe mekanizmat tjerë. Në këtë kontekst mendoj që është bërë mjaft në parandalimin e përhapjes së ideologjive të reja në aspektin e radikalizmit dhe ekstremizmit”, thekson Hoxha.
Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligj për parandalimin e përfshirjes në luftërat e huaja, ligj ky i cili parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.
Po ashtu, Kosova ka në zbatim Strategjinë Nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.
Valdet Hoxha, koordinator nacional kundër terrorizmit thotë se në këtë strategji u kanë dhënë hapësirë të mjaftueshme mekanizmave të tjerë jashtë fushës së sigurisë.
“Në këtë kuptim, u kemi dhënë hapësirë institucioneve të arsimit. Po ashtu, Policia përveç masave reaktive të zbatimit të ligjit, ka ndërmarrë një hap të vetëdijesimit të qytetarëve kryesisht nxënësve nëpër shkolla, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për pasojat që mund t’i ketë shkuarja e qytetarëve në këto vende ku po luftohet dhe në këtë drejtim kemi rezultate të prekshme”, sqaron Hoxha.
Për ligjërata të tilla që po mbahen në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, patën reaguar përfaqësues të Bashkësisë Islame.
Nusret Shiti, imam nga Hani i Elezit, përfaqësues i Bashkësisë Islame të Kosovës, thotë se nuk po iu jepet hapësirë e mjaftueshme për të luftuar terrorizimin.
“Një prej vendeve ku më së shumti duhet të luftohet ekstremizmi i dhunshëm, është shkolla. Futja e mësim-besimit fetar dhe ligjërimi i kompetentëve për këtë çështje, është shumë i duhur. Ne dëgjojmë që nëpër shkolla kanë ligjëruar njerëz kundër ekstremizmit, por nuk kanë qenë kompetentë dhe nuk kanë ditur se ku t’i prekin ato çështje që janë të ndjeshme dhe në këtë formë nuk kanë qenë as të pranuar”, thekson Shiti.
Ndërkohë, hulumtimet e bëra nga organizatat joqeveritare në Kosovë kishin theksuar se Kosova ka miratuar një kornizë solide të politikave në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, megjithatë, zbatimi vazhdon të sfidohet nga kapacitetete kufizuara dhe mungesa e angazhimit të komuniteteve.
Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, pati thënë se ekziston njohuri e kufizuar lidhur me ekstremizmin e dhunshëm tek institucionet, sidomos tek ato të nivelit lokal.
Derisa, qytetarët thuhet se vazhdojnë të jenë konfuz se si duhet trajtuar ekstremizmi fetar si një formë e re e ekstremizmit të dhunshëm.
“Koordinimi ndërinstitucional në luftën e ekstremizmit të dhunshëm është i kufizuar, përfshirja e shoqërisë civile është e vogël, roli i Bashkësisë Islame të Kosovës vazhdon të nënvlerësohet. Po ashtu, mungesa e mundësive dhe niveli i lartë i papunësisë kanë krijuar një konsekuencë të pamenduar, ku të rinjtë janë rekrutuar me ideologji ekstreme dhe përfshirje në konflikte të huaja në Siri dhe Irak”, kishte thënë Qehaja.
Hapësirat private, vende të përhapjes së ideologjive ekstremiste
Ismajl Hasani, profesor i Sociologjisë së religjionit thotë se hapësirat private apo edhe institucionet, të cilat janë jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame janë vende, të cilat përhapin ideologji ekstremiste që shpien në terrorizëm.
“Të ashtuquajturat institucione fetare që janë jashtë kontrollit apo edhe gjysmë kontrollit të Bashkësisë Islame të Kosovës, janë vende të cilat përhapin ide të tilla, janë vende nëpër të cilat këta njerëz përgatiten shpirtërisht në emër të ashtuquajturit mision për të ndihmuar njerëz në luftën e shenjtë”, thekson Hasani.
Edhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në raportin e fundit të publikuar kishte konstatuar se përhapja e ideologjive ekstremiste dhe rekrutimi i qytetarëve të Kosovës për ekstremizëm apo terrorizëm, po bëhet në banesa private dhe jo në xhami.
Lidhur më këtë dukuri, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, thotë për Radion Evropa se janë në dijeni për këtë, por se mekanizmat e sigurisë e kanë nën kontroll situatën.
“Ka disa të ashtuquajtura shtëpi-xhami, të cilat e praktikojnë fenë, por parimisht e drejta dhe liria e besimit është e garantuar me Kushtetutë, prandaj institucionet dhe mekanizmat e sigurisë e kanë situatën nën kontroll. Nëse flasim për ligjërata që ndikojnë në rritjen e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, besoj që tashmë ka aktgjykime të formës së prerë nga gjykatat për ata hoxhallarë”, thekson Hoxha.
Së fundi përfaqësues të Qeverisë së Kosovës kishin theksuar se kanë mungesë të bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare të sigurisë në luftën kundër terrorizimit.(REL)