Formimi i Ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese, i (pa)mundur

FSK, foto arkiv

Kosova nuk do të mund të arrijë ta bëjë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura përmes ndryshimeve kushtetuese, meqë Lista Serbe nuk do t’i votonte asnjëherë ndryshimet, që mundësojnë më pas formimin e ushtrisë, thonë analistë të çështjeve ushtarake dhe të sigurisë.

Ata thonë se pavarësisht mosmbështetjes së partnerëve strategjikë të Kosovës, si NATO dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova do të duhej të formonte Forcën e Armatosur përmes ndryshimit të Ligjit të FSK-së.

Ramadan Qehaja ekspert i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë i tha Radios Evropa e Lirë, se Kosova duhet të krijojë Forcën e Armatosur pa ndryshime kushtetuese, por vetëm me ndryshimin e ligjit të FSK-së, duke e fuqizuar atë me detyra shtesë të karakterit ushtarak.

“Pavarësisht trysnive diplomatike, që ne i kemi pritur që kjo mos të ndodhë, është bërë mjaft me kushtëzimet e Listës Serbe. Nuk ka më as lutje, as pritje për nevojën e votimit të tyre në Kuvend, sepse kjo siç po shihet, nuk do të ndodhë, përkatësisht ata nuk do të votojnë një gjë të tillë, pasi që ashtu e kanë urdhrin nga Beogradi zyrtar”, thekson Qehaja.

Procesi i formimit të Forcës së Armatosur të Kosovës, ka thënë eksperti i çështjeve ushtarake dhe sigurisë Ramadan Qehaja, do të zgjasë me vite, por ky proces duhet të fillojë dhe nuk duhet pritur.

“Ne duhet të fillojmë këtë çështje pasi që asnjë shtet i fuqishëm perëndimor, për shkak të çështjeve politike diplomatike, nuk do të thotë filloni të formoni Forcat e Armatosura pasi që kjo do të kishte implikime tjera politike në planin ndërkombëtar, prandaj ne duhet ta kryejmë punën tonë pavarësisht kritikave që mund ta na vijnë”, thekson Qehaja.

Në pamundësi të ndryshimeve kushtetuese për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur, për shkak të mospajtimeve të Listës Serbe, edhe deputetët e Kosovës të martën në një seancë dhanë si alternativë ndryshimin e Ligjit për FSK-në, sipas të cilit kjo Forcë do të pajisej me kompetenca shtesë në aspektin e mbrojtjes.

Por, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, iu ka sqaruar deputetëve të Kosovës se transformimi i FSK-së përmes ndryshimit të Ligjit për FSK-në, deri më tani, nuk e ka pasur mbështetjen e partnerëve strategjikë të Kosovës.

“Nga kontaktet që kanë pasur me përfaqësuesit e NATO dhe partnerët tjerë strategjikë, mbesin të përkushtuar që FSK mund të transformohet në çdo kohë në Forcë të Armatosur të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese me përkrahje të nevojshëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Lista Serbe ndërkaq, ka muaj të tërë që ka bojkotuar institucionet e Kosovës, përfshirë dhe Kuvendin në shenjë, siç thuhet, të mospajtimit me dy ligje themelore; atë të investimeve strategjike dhe ligjin për Trepçën, të dyja të vlerësuara si të ligjshme nga Gjykata Kushtetuese.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ndërkaq, më herët kanë deklaruar se “nuk ekziston hapësirë manovruese brenda koalicionit dhe marrëveshjes për koalicion për çfarëdo bisedimesh për Forcat e Armatosura të Kosovës”.

Eksperti i çështjeve të sigurisë Naim Maloku thekson se transformimi i FSK-së në Forcë të Armatosur, përmes ndryshimeve kushtetuese do të jetë një sfidë për Qeverinë e Kosovës.

Lista Serbe, shton Maloku, nuk do të pajtohet të votojë ndryshimet kushtetuese që mundësojnë formimin e Forcave të Armatosura.

“Duhet gjetur një zgjidhje që Kosova t’i ngritë kapacitetet mbrojtëse brenda ligjit ekzistues për FSK-në. Këtu duhet të lëvizë Qeveria e Kosovës, përderisa nuk miratohet ligji për Referendum, të cilin e njeh edhe Kushtetuta aktuale, dhe pastaj me Referendum të bëhet ndryshimet kushtetuese duke mënjanuar pengesat që do të vijnë nga Lista Serbe”, thekson Maloku.

Ndryshe, përmes një projekt rezolute e cila është miratuar në Kuvendin e Kosovës, Qeveria e Kosovës është autorizuar që sa më parë të koordinojë dhe procedojë në Kuvendin e Kosovës për miratim strategjinë për transformim të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Forcat e Armatosura të Kosovës, si pasardhëse të Forcave të Sigurisë, janë paralajmëruar të krijohen prej më shumë se dy vjetësh, pas hapjes së dritës së gjelbër nga Aleanca e NATO-s me përmbushjen e kapaciteteve operative.