Paralajmërimet e VMRO DPMNE-së së Nikolla Gruevskit se mund të ketë probleme në rast se nuk respektohet vullneti i qytetarëve në zgjedhje dhe kjo mbetet jashtë qeverisë, janë serioze sipas ekspertëve të çështjeve të sigurisë, pasi kjo parti sipas tyre është e gatshme të bëjë gjithçka të mundur për pengimin e formimit të qeverisë së re.
Reagimi i partisë së ish-kryeministrit erdhi pas njoftimeve për intensifikimin e bisedimeve mes LSDM-së dhe BDI-së për formimin e Qeverisë, që pasoi dështimin e bisedimeve të mëhershme mes VMRO-së dhe BDI-së, por edhe deklarimit të presidentit të shtetit, Gjorgje Ivanov, se mandati për formimin e Qeverisë do t'i jepet asaj partie që arrin të sigurojë shumicën parlamentare. VMRO-ja, ndërkohë ka vazhduar me kritikat edhe ndaj faktorit ndërkombëtar, për siç thuhet, përzierje në negociatat që ka zhvilluar me partinë shqiptare BDI, që drejtohet nga Ali Ahmeti.
“Duke e ditur veprimin, platformën dhe strategjinë si dhe mostolerancën e VMRO-së ndaj faktorit shqiptar, kjo na jep të kuptojmë se ajo ka zgjedhur rrugën e problemeve. Me këtë rast ajo merr një lloj të përgjegjësisë ndaj shtetit, por pa u mbështetur në realitetin e përgjithshëm. Kjo nënkupton se do të ketë probleme dhe ajo do të bëjë pengesa të ndryshme që të mos formohet Qeveria. Megjithatë, do të jetë roli kyç i faktorit ndërkombëtar, pa të cilin nuk kam shpresa se do të ketë një zgjidhje të mirë dhe një Qeveri funksionale”, thotë Bashkim Selmani, ekspert i së drejtës penale dhe të sigurisë duke vlerësuar rolin e partive shqiptare, të cilat sipas tij janë të përkushtuar në ruajtjen e Maqedonisë dhe realizimin e të drejtave të tyre në kuadër të institucioneve.
Ai pret që gjatë vizitës së komisionerit për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, të enjten në Shkup, partitë të qartësojnë pozicionet e tyre, ndërsa nga zyrtari i lartë evropian, të rikonfirmojë qëndrimin për zgjidhje më të shpejtë të krizës institucionale dhe formimin e një Qeverie sa më të qëndrueshme, e aftë për përmbushjen e reformave të domosdoshme, të cilat i përmban edhe raporti i ekspertit gjerman Rajnhard Pribe.
Edhe Alajdin Demiri, ish ambasador i Maqedonisë në Zvicër thotë se komisioneri Hahn gjatë takimit me liderët e partive politike do t'i përsëris qëndrimet tani më të njohura të Brukselit.
“Mendoj se komisioneri Hahn do të insistojë në Qeveri të zgjeruar, me përfshirjen e më shumë partive. Fakti që i gjithë procesi, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Përzhinës e deri më sot, ka qenë i mundimshëm, i rëndë, me lëshime të shumta, e detyron komisionerin Hahn që edhe një herë të sugjerojë që ky proces i koalicionit të jetë më i shpejtë”, thekson Demiri.
Maqedonia ndodhet në krizë të thellë politike gati tre vite, që nga nisja e publikimit të bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve që flasin për përfshirjen e tyre në afera të ndryshme, gjë që çuan në tensione e protesta të shumta, në themelimin e Prokurorisë Speciale e deri në anulimin e dy proceseve zgjedhore dhe mbajtjen e tyre më 11 dhjetor të vitit të kaluar. Por, rezultati i ngushtë zgjedhor mes VMRO-së dhe LSDM-së nuk i mundëson asnjërës prej tyre që pa votat e partive shqiptare të formojnë Qeverinë e re. Ndërkohë, këto të fundit tanimë kanë arritur një platformë të përbashkët me disa pika që janë vënë si kusht për partitë maqedonase për t'i dhënë mbështetjen e tyre për formimin e Qeverisë së re.