Prodhuesit kosovarë kalojnë shumë barriera deri te tregjet botërore 

Ilustrim

Me gjithë vështirësitë me të cilat prodhuesit po ballafaqohen në zhvillimin e veprimtarisë së tyre në Kosovë, disa prej kompanive, megjithatë kanë arritur të jenë në pranishëm në tregjet e njohura botërore.

Kompania “ASK Foods”, në Gjilan, e cila merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve, me produktet e saj ka qenë e pranishme në tregun e Gjermanisë, Belgjikës, në Britani të Madhe, Suedi dhe disa vende të tjera.

Por, së fundi pas shumë vështirësive, pronari i kësaj kompanie, Barlet Namoni në një prononcim për Radio Evropa e Lirë ka bërë të ditur se kanë arritur të jenë të pranishëm me produktet e tyre në rrjetin e maketeve më të njohura ndërkombëtare SPAR.

“Tash ‘ASK Foods’ përmes një partneri kemi arritur të hyjmë në marketet SPAR në Zvicër. Këto janë markete të njohura në botë dhe janë të pranishme në mbi 40 shtete. Produktet tonë kanë arritur të jenë në këto markete pas shumë testeve që iu janë bërë produkteve, të cilat më pas janë konsideruar se janë të kualitetit të lartë, ku edhe na është dhëna e drejta që të jemi prezent me produktet tona”, thekson Namoni.

Ai thekson se gjatë këtij viti presin që të realizojnë një marrëveshje për eksport edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kosova për vite më radhë është duke u ballafaquar me një ambient të pafavorshëm biznesor.

Në hulumtimet e bëra, ishin identifikuar barriera të shumta në të bërit biznes në Kosovë, siç është mungesa e përkrahjes shtetërore, konkurrenca jo e drejtë e shkaktuar nga evazioni fiskal dhe ekonomia joligjore, pastaj furnizimi jo stabil me energji elektrike, kontestet ekonomike ndërmjet bizneseve si dhe normat e larta të kredive.

Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet më të mëdha i kanë në gjetjen e partnerëve tregtarë.

“Realisht kompania jonë nuk ka probleme të mëdha gjatë eksportit, ne eksportojmë në mbi 25 vende të botës, por problemi më i madh është gjetja e tregut dhe plasimi i produkteve. Këtu mungon përkrahja e Qeverisë së Kosovës për prodhuesit. Institucionet e Kosovës do të duhej të bënin më shumë për ato kompani prodhuese që kanë synim tregun evropian”, thekson Palushi.

Krahasuar me vendet e rajonit, prodhuesit e Kosovës nuk janë të subvencionuar nga shteti, thotë pronari i kompanisë i “ASK Foods”, Barlet Namoni.

“Nëse krahasohemi me rajonin, përkatësisht vendet si Serbia apo Maqedonia, ata kanë subvencione nga shteti për çdo kilogram që e eksportojnë jashtë shtetit. Tek ne nuk janë këto subvencione. Në Kosovë ka shumë produkte të cilat vijnë nga Maqedonia dhe kanë lehtësira të mëdha, derisa ne kur kemi eksportuar në Maqedoni problemet kanë qenë të mëdha në dogana deri në tre ditë kanë qenë të ndaluar kamionët tanë vetëm për të penguar eksportin”, thekson Namoni.

Ndryshe, vlera totale në vit e mallrave të importuara në Kosovë arrin shifrën në mbi 2.5 miliardë euro, derisa eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës nuk arrin vlerën mbi 300 milionë euro në vit.

Ky debalanc tregtar, për përfaqësuesit e kompanive prodhuese në Kosovë tregon gjendjen e rëndë të sektorit të prodhimit në vend. (REL)