Mbi 54 mijë të punësuar nuk figurojnë në Trustin Pensional

Ilustrim, Prishtina, janar 2017

Numri i të punësuarve në Kosovë, sipas shifrave zyrtare, llogaritet të jetë 347 mijë persona apo 72 për qind e fuqisë punëtore.

Këto të dhëna, prezantohen në anketën e Fuqisë Punëtore për nëntë mujorin e vitit të kaluar të publikuarnga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Por, në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, numri i llogarive aktive deri në atë periudhë ka qenë 293 mijë persona.

Jeton Demi zëdhënës në këtë Fond thotë për Radion Evropa e Lirë se kontributet pensionale i paguajnë të gjithë personat rezidentë të Kosovës, të cilët janë të angazhuar në punë, qoftë si të vetëpunësuar apo si të punësuar.

“Pagesa bëhet përmes Administratës Tatimore të Kosovës. Për sa kohë një kompani angazhohet në mënyrë të rregullt është e pamundur që mos deklarojë të punësuarit e tij. Mund të ketë përjashtim në rastet kur dikush nuk i regjistron, gjë që është jashtë kompetencave tona,” ka thënë Demi.

Ndryshe, sipas shifrave zyrtare, numri i qytetarëve të cilëve u është paguar tatimi në të ardhurat personale nga pagatnë Administratën Tatimore të Kosovës, për vitin 2016, ka qenë 272 mijë.

Kjo shpërputhje e shifrave, sipas ekspertëve të ekonomisë, lë të kuptohet se në Kosovë një numër i qytetarëve, sidomos ata në sektorin privat, punojnë pa kontrata të punës.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi thotë se diskrepanca në mes të shifrave të Agjencisë së Statistikave dhe Fondit të Kursimeve Pensionale ndodh për shkak se ekzistojnë qytetarë të shumtë që punojnë në të zezën (pa kontratë të rregullta pune).

“Në fakt, kur Agjencia e Statistikave të Kosovës bën anketimin e qytetarëve, ata deklarohen si të papunë ose të punësuar. Ndërsa Trust i Kursimeve Pensionale i evidenton vetëm të punësuarit me kontrata të rregullta të punës të cilët paguajnë kontribute pensionale dhe paguajnë tatim në paga për shtetin e Kosovës”, ka thënë Gashi.

Edhe në anketën e ASK-së, po ashtu thuhet se 30 për qind e personave të punësuar kishin kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që rreth 70 për qind kanë pasur kontratë të përkohshme. Pjesa më e madhe e atyre që janë të punësuar, kanë raportuar se punojnë me orar të plotë.

Naim Gashi, thotë se në tregun e Kosovës veprimtarinë e tyre e zhvillojnë edhe kompani të cilat nuk paguajnë obligimet tatimore ndaj shtetit.

“Dhe si rrjedhojë edhe punëtorët e tyre janë në të ‘zezën’ dhe kjo është ajo diskrepanca në mes ASK-së dhe Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërkohë, përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, disa herë kanë paraqitur si shqetësim numrin e madh të qytetarëve që punojnë pa kontrata pune, e që konsiderohet shkelje e të drejtave të punëtorëve.

Sidoqoftë, sipas të dhënave të ASK-së, llogaritet se 72 për qind ose rreth 350 mijë qytetarë, janë të punësuar,kurse 27.5 për qind apo mbi 131 mijë persona janë të papunë .

Pagat neto e shumicës së punonjësve , sipas anketës është nga 300 deri 400 euro në muaj.(REL)