Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar ndaljen e pakufizuar të hyrjes së refugjatëve sirianë në Shtetet e Bashkuara dhe pezullimin e vizitave nga disa vende të tjera myslimane.
Zoti Trump mbrëmë vonë, duke shprehur përkushtim për mbrojtjen e vendit nga “terroristët e jashtëm”, ka urdhëruar suspendimin e migrimit nga shtatë vende me popullatë shumicë myslimane për 90 ditë, derisa të implementohet procesi i ri rigoroz “ekstrem i vërtetimit”.
Shtëpia e Bardhë tha se në shënjestër të këtyre urdhërave janë Siria, Iraku, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni.
Zoti Trump, po ashtu, ka urdhëruar pezullimin katërmujor të programit amerikan për refugjatë për Irakun, Afganistanin dhe Pakistanin.
Ai e ka përcaktuar numrin prej 50 mijë refugjatëve nga e gjithë bota, që Shtetet e Bashkuara do t’i pranojnë këtë vit.
Një përjashtim madhor për ndalesën e refugjatëve është bërë për të krishterët sirianë, për të cilët Trump tha se janë të shtypur në vendin e tyre.
Duke folur për urdhrat e tij, gjatë qëndrimit në Pentagon, Donald Trump tha:
“Po krijoj masa të reja të vërtetimit, që terroristët radikal islamikë të mbahen jashtë Shteteve të Bashkuara. Ne nuk i duam ata këtu. Ne dëshirojmë të sigurojmë se ne nuk i pranojmë në vendin tonë kërcënimet për ushtarët tanë që luftojnë tej oqeanit”.
“Ne vetëm dëshirojmë që në vendin tonë t’i pranojmë ata që do ta mbështesin vendin tonë dhe do ta duan thellësisht popullin tonë”.
Për presidentin Trump, kjo është mbrojtje e kufijve të SHBA-së nga terroristët e jashtëm.
“Kjo është mbrojtje e vendit nga hyrja e terroristëve të jashtëm në Shtetet e Bashkuara. Ne të gjithë e dimë se çka do të thotë kjo. Kjo është çështje e madhe”, shtoi Donald Trump.
Grupet për të drejtat e njeriut i kanë dënuar këto masa duke i vlerësuar si diskriminuese dhe jokushtetuese, meqë cak i tyre është vetëm një religjion specifik.
Këto grupe thonë se lëvizjet, të cilat Trump i kishte paralajmëruar gjatë fushatës së tij, do t’i bllokojnë refugjatët në vendet e rrezikshme dhe do të kenë efekt të urrejtjes ndaj Shteteve të Bashkuara në botën myslimane dhe do ta dëmtojnë reputacionion e SHBA-ve si vend që i mirëpret migrantët dhe “masat më të varfra dhe më të ndjeshme” në botë.
“Shqyrtimi ekstrem është vetëm një eufemizëm për diskriminim kundër myslimanëve”, tha Anthony Romero, drejtor ekzekutiv i Unionit Amerikan Të Lirive Civile.
Ahmed Rehab, nga Këshilli për raportet Amerikano – Islamike, tha se grupi i tij do të luftoj kundër urdhrave të presidentit Trump në gjykata, me të gjitha mjetet.
“I merr në shënjestër njerëzit bazuar në religjionin e tyre dhe origjinën kombëtare, e jo për nga karakteri i tyre ose kriminaliteti i tyre”, tha Rehab.
Mbrojtësit e imigrimit thonë se urdhrat kanë një ndikim kaotik të menjëhershëm në njerëzit që kanë planifikuar t’i vizitojnë Shtetet e Bashkuara ose për ata që përpiqen t’i sjellin të afërmit e tyre për vizitë në Shtetet e Bashkuara, nga vendet që gjenden në urdhërat e presidentit, Donald Trump.
Demokratët e kanë dënuar këtë lëvizje si joamerikane, dhe kanë thënë se do ta dëmtojnë reputacionin e Shteteve të Bashkuara.
“Urdhri i sotëm ekzekutiv nga presidenti, Donad Trump, është më tepër për shkak të ksenofobisë ekstreme se sa kontrolli ekstrem”, tha në deklaratën e tij, senatori demokrat, Edward Markey.
Por, disa republikanë, përfshirë kryesuesin e Komitetit të drejtësisë të Dhomës Përfaqësuese, Bob Goodlatte, e kanë mbështetur vendimin, duke theksuar se grupi ekstremist, Shteti Islamik, ishte kërcënuar për ta përdorë sistemin e imigrimit në Shtetet e Bashkuara.
Para se të shpalleshin urdhrat e presidentit amerikan, Donald Trump, disa njerëz të njohur nga vendet në shënjestër të urdhrave, thanë se ata do ta bojkotojnë udhëtimin në Shtetet e Bashkuara në shenjë të protestës.