Termocentrali “Kosova e Re” në fazën përfundimtare

Termocentrali në Obiliq - ilustrim

Projekti më i diskutuar në fushën energjetike, termocentrali “ Kosova e Re”, është në fazën përfundimtare të negociatave me investitorin përzgjedhës për ndërtimin e tij.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha për Radion Evropa e Lirë se nënshkrimi i marrëveshjes komerciale, që është faza e parafundit, me investitorin Contour Global, pritet të realizohet në muajin shkurt.

Kurse ndërtimi pritet të nis gjatë muajve në vazhdim.

Termocentrali “ Kosova e Re” do të ndërtohet afër termocentralit aktual “Kosova B”, me një kapacitet gjenerues prej 450 megavat. Vlera financiare e këtij projekti, sipas ministrit Stavileci, pritet të arrijë në rreth një miliard euro.

“Nënshkrimi i marrëveshjeve komerciale e përbën fazën e parafundit të realizimit të projektit, ndërkaq fazën e fundit e përbën pakoja tenderuese për termocentralin”.

“Do të thotë, në momentin që nënshkruhen marrëveshjet komerciale, sipas një tabele kohore të aktiviteteve që ka paraparë investitori, mendohet që në fillim të marsit të nis pakoja tenderuese për ndërtuesin e termocentralit”, ka thënë Stavileci.

Por, ish Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili tha për Radion Evropa e Lirë se autoritet kompetente janë vonuar për fillimin e ndërtimit të termocentralit, “Kosova e Re”.

“Ky termocentral është jashtëzakonisht i nevojshëm dhe sa më parë që do të fillojë do të jetë shumë mirë për Kosovën. Kosova është shumë vonë në realizimin e këtij projekti”, ka thënë Ismaili.

Ndryshe, në vitin 2015, autoritet kompetente në Kosovë ofertuesin Contour Global, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kishin përzgjedhur si kompaninë fituese për ndërtimin e këtij termocentrali.

Në anën tjetër, shoqëria civile vazhdimisht ka kundërshtuar ndërtimin e tij, me arsyetimin se Kosova nuk ka nevojë për termocentral të ri, por për një menaxhim më të mirë të shpenzimit të energjisë energjetike.

Me gjithë kundërshtimet, Kushtrim Puka nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji (KOSID), ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se edhe vonesat për fillimin e ndërtimit të këtij termocentrali janë të pa arsyeshme dhe të përcjella me shumë parregullsi.

“Mendoj se ky proces është shtyrë dhe është ndryshuar pakoja tenderuese, çka të lë të mendosh se këtu kishte lloj– lloj ndryshimesh të cilat nuk kanë përkuar me realitetin”.

“Kosova me kapacitet ekzistuese që ka nuk ka problem të mbuloj ngarkesën bazë të energjisë elektrike. Ne kemi problem të mbulojmë ngarkesën e konsumit kur është në maksimum i shpenzimit”, thotë Puka.

Projekti, sipas Pukës, ka qenë i destinuar për dështim, pasi që sipas tij, përgjatë kësaj dekade, ky projekt ka pësuar ndryshime, si në emërtim, kapacitete prodhuese, por edhe në aspektin ligjor.

Sipas një raporti të këtij konsurciumi, thuhet se ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, do të dëmtonte ekonomitë familjare dhe ekonominë e përgjithshme, pasi që do të rriste çmimin e energjisë elektrike për rreth 50 për qind. Por, këto të dhëna në këtë raport, janë mohuar nga zyrtarë qeveritar. (REL)