Përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë shtrojnë nevojën urgjente të finalizimit të pakos së re fiskale, në të cilën pako, përveç tjerash, është përfshirë edhe futja në fuqi e pushimeve tatimore dhe zgjerimi i listës së lëndëve të para të liruara nga detyrimet doganore.
Të dy këto pika, sipas drejtorit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, janë shumë të domosdoshme të hyjnë sa më shpejt në fuqi për shkak të krijimit të një ambienti më të favorshëm për investitorët.
“Ajo çfarë do të duhej të shohim tani pasi që është diskutuar kjo pako fiskale, është një veprim më i shpejtë i institucioneve të Kosovës tani e njëjta duhet të aprovohet nga ana e qeverisë së Kosovës dhe e njëjta të fillojë të promovohet para bizneseve në mënyrë që ata të mund të përfitojnë nga kjo", tha Zeka.
Sa i përket pushimeve tatimore, Qeveria e Kosovës gati dy vite më parë kishte marrë vendim që të ketë pushime nga taksat për të gjitha investimet e reja, tre deri në shtatë vite. Por, që një vendim i tillë nuk kishte hyrë në fuqi asnjëherë, duke bërë që edhe investitorët e huaj të mos e shohin Kosovën si vend atraktiv për investime.
Rënia e investimeve të huaja dhe zbehja e interesimit të kompanive të huaja që të kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë ishte mjaft e theksuar në vitin që lëmë pas.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, tregojnë se deri në muajin shtator të vitit 2016, shuma e investimeve të huaja kanë qenë 184 milionë euro. Kurse në vitin 2015, investimet ndërkombëtare kanë qenë rreth 320 milionë euro.
Futja në fuqi e pushimeve tatimore për drejtorin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, do të mund të sjell investime.
“Udhëzimi administrativ për pushimet tatimore varësisht nga shuma e investimeve i kombinuar me Ligjin për investime Strategjike që pritet të hyjë në fuqi së shpejti do të ishin elemente të rëndësishme për ofertën tonë para investitorëve të huaj”, thekson Zeka.
Ndërkohë, pakoja fiskale për përfaqësuesit e Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë duhet të jetë në funksion të gjenerimit të investimit privat, përfshirë edhe trajtimit të barabartë për të gjithë investitorët.
Drejtori ekzekutiv i këtij Këshilli, Shpend Balija, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se pakoja e re fiskale duhet të ketë edhe disa elemente tjera për një ambient më të favorshëm biznesor.
“Gjitha këto elemente të pakos fiskale përfshirë edhe pushimet tatimore janë të mirëpritura dhe mendoj se do ta kenë ndikimin pozitiv sa i përket investimeve. Por, ne mendojmë që në këtë pako duhet të përfshihet edhe çështja e kompanive të sigurimit, që për momentin janë të diskriminuara duke paguar tatim në të hyra në vend se të paguajnë tatim në fitim, siç paguajnë kompanitë tjera private në Kosovë”, thekson Balija.
Ndryshe, ditë më parë përfaqësues të shoqatave ekonomike dhe Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës kanë hartuar një pako të re fiskale për përmirësimin e ambientit për biznes.
Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka thënë se një ndër objektivat kryesore të Ministrisë së Financave për vitin 2017 është pakoja e re fiskale. (REL)