Deklaratat e Trumpit “shqetësojnë” NATO-n

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.

Deklarata e presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se NATO-ja është “vjetruar”, ka shkaktuar “shqetësim” tek aleanca, tha ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Ai i bëri këto komente për gazetarët në Bruksel, në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së.

“Po vi pas një bisede që pata me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Në NATO, sidomos, janë pritur me shqetësim deklaratat e bëra nga president i zgjedhur, Trump – deklarata e tij se NATO është vjetruar. Mbi të gjitha, kjo është në kundërshtim me deklaratat që ka bërë sekretari i nominuar i Mbrojtjes pak ditë më parë. Duhet të shohim se çfarë do të thotë kjo për strukturën politike amerikane”, tha Steinmeier.

Në seancën dëgjimore në Senat, i zgjedhuri i Trumpit për sekretar të Mbrojtjes, James Mattis, ka thënë se NATO është në qendër të mbrojtjes amerikane.

Ai po ashtu ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, se po bën përpjekje ta përçajë aleancën.

Në një intervistë për disa gazeta evropiane, Trump ka thënë se NATO është vjetruar sepse nuk e ka trajtuar terrorizmin.