Odat e mjekëve me kompetenca, por jofunksionale

Ndonëse Ministria e Shëndetësisë tashmë ka bartur disa kompetenca në odat e profesionistëve shëndetësorë, kjo e fundit ende nuk funksionon tërësisht.

Kuvendi i Kosovës që prej majit të vitit 2013, ka miratuar Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, por asnjëra prej odave nuk ka arritur që të funksionalizohet.

Aktualisht janë katër oda të themeluara; e stomatologëve, e fizioterapeutëve, e infermierëve dhe ajo e farmacistëve.

Për Minstrinë e Shëndetësisë odat janë funksionale dhe pritet që t’u barten kompetenca shtesë.

Lulëzim Uka, zyrtar për informim, thotë se që prej vitit 2016 katër odat e krijuara i ushtrojnë kompetencat e tyre të plota.

"Gjatë këtij viti pritet që edhe çështja e licencimit dhe ri-licencimit t’i përcillet katër odave që tash për tash janë funksionale. Ministria e Shëndetësisë në qershor të vitit 2016, iu ka dorëzuar 4 odave të profesionistëve shëndetësorë vendimin për bartjen e kompetencave për çështjet etike dhe edukimin e vazhdueshëm profesional".

"Odat këto kompetenca i ushtrojnë nga korriku i vitit 2016. Ndërkaq në fund të dhjetorit të vitit 2016 procesi i licencimit dhe ri-licencimit është bërë së bashku nga Ministria e Shëndetësisë dhe odat dhe në çdo licencë të re që është lëshuar nga këto dy institucione është marrë nënshkrimi i ministrit dhe kryetarit të odës përkatëse", ka thënë Uka.

Përgjegjësitë që katër odat i kanë marrë shtrihen në fushën e edukimit të vazhdueshëm profesional dhe në çështjet etike, derisa licencimi dhe ri-licencimi kanë mbetur përgjegjësi e dy institucioneve; asaj të odave dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Kryetarja e Odës së Fizioterapeutëve, Dafina Ibrahimi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se ndonëse kompetencat edhe zyrtarisht janë bartur nga Ministria e Shëndetësisë tek odat, këto oda kanë problem funksionimin e plotë për shumë arsye, ku njëra ndër to është edhe buxheti i mangët.

"Nuk jemi në funksion të plotë, zyrat janë të pa mobiluara, nuk kemi asistencë. Krejt punët teknike vetë i kryejmë. Ministria e Shëndetësisë është e interesuar që t’i bartë kompetencat tek odat, por kjo shkon zinxhirë dhe duhet të ketë vullnet nga të gjitha anët. Ministria e Financave nuk ka ndarë buxhet''.

Edhe kryetari I Federatës Sindikale të Shëndetësisë Blerim Syla, mendon se këto oda nuk kanë funksionuar që prej themelimit të tyre. Ai thotë se tash e tre vjet, kur edhe janë përzgjedhur kryetarët e odave, nuk është bërë asgjë nga ana e tyre.

"Po kalojnë tre vjet me mandate të kryetarëve, dhe nuk është bërë asnjë iniciativë që do ta sillte një dobi të mirëfilltë për punëtorët shëndetësorë. Nëse vazhdohet kështu, mendoj se odat do të mbesin vetëm në letër. Sikur të ishin bartë mirëfilltë kompetencat, por me sa kam dijeni nuk janë bartur këto kompetenca dhe odat nuk kanë koncept të qartë, po flas për odat e mjekëve''.

Kosova nuk ka pasur asnjëherë Oda të Profesionistëve. Kjo është paraparë si pjesë legjislative përmbajtësore brenda sistemit shëndetësor dhe kompetenca që do t'i ushtrojnë këto oda do ta lehtësonin punën e Ministrisë së Shëndetësisë si institucion. (REL)