Zhvillimet e fundit politike në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, mund të minojnë të gjitha përparimet e arritura deri më tani në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e raporteve midis dyja shteteve, thonë njohësit e zhvillimeve politike.
Ndërtimi i murit në veri të Mitrovicës, zvarritja e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialog, paralajmërimet e Beogradit për themelimin e njëanshëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe fletë-arrestet, siç ishte rasti me ndalimin e Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze, veçohen si veprime që mund të cenojnë gjithë procesin e normalizimit.
Analisti, Ilir Ibrahimi, thotë se Kosova dhe Serbia janë futur në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, jo me vullnetin e tyre, por nën presionet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Por, ajo që veçon Ibrahimi është se normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të ndodhë përderisa vetëm njëra palë përpiqet të tregohet konstruktive në këtë proces.
“Unë besoj fuqishëm që Kosova deri më tani ka qenë një lojtar i mirë, një lojtar fer dhe një lojtar që ka qenë i dëgjueshëm. Ndërkohë që nga ana e Serbisë kemi pasur një lojtar i cili ka qenë një lloj rebeli në atë dialog”.
“Besoj se është momenti përfundimtar që edhe Kosova të marrë një rol pak më të fuqishëm në këtë dialog, sepse në fund të fundit, port ë arritur një rezultat në çdo lloj dialogu, të dyja palët duhet të jenë të barabarta dhe të dyja palët duhet ta respektojnë atë që e nënshkruajnë”, ka thënë Ibrahimi.
Bazuar në deklaratat e fundit të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, veprimet e Beogradit po ndërmerren me qëllim të destabilizimit të gjendjes në Kosovë dhe nxitjes së provokimeve, çka sipas tyre bie ndesh me të gjitha nismat për normalizim dhe paqe mes dyja vendeve.
Ilir Ibrahimi, thotë se një gjendje e tillë, mund të sjell edhe ndërprerjen e bisedimeve, ngase Kosova nuk mund të pres me dekada derisa Serbia të vendos për një rol më konstruktiv në procesin e normalizimit të raporteve reciproke.
“Me një qasje të tillë të Serbisë, diçka që mund të arrihet për 2 vjet do ta zgjas për 20 vjet dhe Kosova nuk e ka luksin që të pres 20 vjet që të kemi një disponim nga ana e Serbisë për t’i tejkaluar disa sfida që i kemi, sidomos tani kur po shohim që gjeopolitika po ndryshon”.
“Ndoshta ky është edhe qëllimi i Serbisë që duke pas parasysh që ka disa ndryshime në politikën botërore, ndoshta e zvarritë dialogun që të vijë në një moment pak më të favorshëm për të”, ka vlerësuar Ibrahimi.
Nga Beogradi, ndërkaq, vijnë sërish mesazhe se nuk do të tërhiqen nga politika aktuale në raport me Kosovën.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se ka informacione “se diaspora shqiptare po përgatitet”, siç ka thënë ai “për marrjen e përfaqësive diplomatike-konsullore serbe, me qëllim të detyrimit të Serbisë që të heq dorë nga ndjekja e Ramush Haradinajt”.
Këto informacione, Serbia, sipas tij, i ka siguruar nga agjencitë perëndimore të sigurisë.
Por, deklaratat e tilla, analisti dhe publicisti Belul Beqaj i sheh si sinjal për Prishtinën zyrtare që ta rishikojë pozicionin e vet në bisedimet me Serbinë, ngase sipas tij, po shihet qartë që qëllimi i Beogradit nuk është normalizimi po destabilizimi.
“Deklarata e fundit e Daçiqit se ai ka informacione serioze që shqiptarët në perëndim përgatisin veprime terroriste për t’i zënë peng ambasadorët serbë, mendoj se janë indikator shumë serioz që të trajtohet ky proces në mënyrën më kritike dhe nga ky përfundim të nxirren gjykime që kanë të bëjnë me rishikimin e gjithë procesit”, ka thënë Beqaj.
Jo vetëm deklaratat e tilla të Daçiqit, por të gjitha veprimet e fundit të Beogradit në raport me Kosovën, ka nënvizuar Belul Beqaj, po e degradojnë pozicionin e Kosovës në procesin e dialogut të Brukselit.
”Pas të gjitha këtyre veprimeve, duke u nisur nga ato tek Ura mbi Ibër, muri në veri, Lugina e Diellit (lagje e projektuar në Serbi për kthimin e serbëve të zhvendosur në veri të Kosovës)dhe eventualisht kërkesa e cila ka pretendime që ta formoj Asociacionin e komunave me shumicë serbe në mënyrë të njëanshme, tregojnë se qëllimet e Serbisë nuk kanë qenë të drejtuara në procesin e normalizimit, por në drejtimin e kundërt”, ka deklaruar Beqaj.
Zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, besohet se kanë ftohur tutje marrëdhëniet, edhe ashtu, aspak të mira mes dyja vendeve.
Serbia, jo vetëm që vazhdon të mos e njoh pavarësinë e Kosovës, por në shumë raste, sipas analistëve, ka dëshmuar se angazhohet në vazhdimësi në të gjitha rrafshet politike e diplomatike për pengimin e jetësimit të shtetësisë së Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm. (REL)