Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme e cila u mbajt të martën, ka dështuar të miratojë një rezolutë, me të cilën do të kërkohej lirimi i Ramush Haradinajt, i ndaluar më 4 janar nga autoritetet franceze mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.
Në propozim rezolutën e parashtruar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila u mbështet nga subjektet tjera opozitare, Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje, u kërkua që lirimi i pakusht i ish kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, të ndodhë sa më shpejt dhe të konsiderohet detyrë primare shtetërore; që BE-ja të përfshihet në mënyrë që të përshpejtohet lirimi i Haradinajt nga shteti francez; që Qeveria e Kosovës të obligohet që të informojë instancat ndërkombëtare se e refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në tërë territorin e Jugosllavisë; që të ndërpriten bisedimet me Serbinë deri në anulimin e të gjithë fletëarresteve të lëshuara nga Serbia në Interpol kundër ish udhëheqësve dhe ushtarëve të UÇK.
Me pikën e fundit, nuk janë pajtuar deputetët e partive në pushtet, LDK dhe PDK dhe propozim rezoluta nuk u miratua.
Gjithashtu, as propozim rezoluta e dy partive në pushtet,LDK dhe PDK, e cila përjashtonte pikën kontestuese lidhur me ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, nuk arriti të miratohet.
Kuvendi adreson lirimin sa më të shpejtë të Haradinajt
Kuvendi i Kosovës po zhvillon seancën e jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, në Francë, mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.
Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në hapje të seancës ka thënë se ndalimi Ramush Haradinajt në Francë është i paranueshëm dhe e ka cilësuar si “sulm të drejtpërdrejtë mbi lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës”.
“Kosova është shtet i pavarur dhe qytetarët e saj nuk mund të ndalohen me urdhërarrest të Serbisë, të cilat, si të tilla, nuk kanë asnjë bazë ligjore”, ka thënë Lekaj.
Ai e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e autoriteteve gjyqësore të Francës për ta ndaluar zotin Haradinaj në bazë të fletarrestit nga Serbia, për krime të pretenduara, për të cilat Haradinaj është shpallur i pafajshëm në dy procese gjyqësore në tribunalin për krime lufte në Hagë.
Kryeministri i Kosovës , Isa Mustafa, duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka konsideruar dhe konsideron se fletë-arrestimet nga Serbia për qytetarët e Kosovës janë tërësisht të paligjshme dhe të padrejta, si dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione politike, konflikte dhe për të dëmtuar proceset në rajon dhe më gjerë.
Mustafa ka thënë se përfaqësuesit e Republikës së Kosovës kanë transmetuar tek autoritetet e shtetit të francez se fletë-arrestet e Serbisë janë të paligjshme për qytetarët e republikës së Kosovës dhe se juridiksioni i Serbisë mbi qytetarët e Republikës së Kosovës ka pushuar zyrtarisht në qershor të vitit 1999.
“Qeveria e Republikës së Kosovës po punon intensivisht që akuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare - sepse, nuk flitet këtu dhe nuk është vetëm rasti i zotit Haradinaj - të refuzohen si të tilla nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë, sepse nuk kanë asnjë bazë juridike që ato të trajtohen më tutje”.
“Kosova dhe qytetarët e saj do të jenë të unifikuar lidhur me çështjen e zotit Haradinaj dhe se vazhdimisht edhe në këto ditë do të punojmë që shteti francez sa më parë ta lirojë zotin Haradinaj dhe që ai të kthehet në Kosovë”, ka thënë Mustafa.
Ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka theksuar se që nga dita e ndalimit të zotit Haradinaj nga autoritetet franceze, institucionet e Kosovës kanë ofruar përkrahjen dhe garancinë shtetërore që Haradinaj të kthehet në Kosovë.
Ai ka theksuar se ka kontaktuar edhe me ministrin e Jashtëm të Francës, të cilit ia ka përcjellë, siç ka thënë ai, qëndrimin e prerë të Qeverisë së Kosovës si dhe sqarimin për rrethanat ligjore, si dhe motivet e Serbisë në raport me ndalimin e zotit Haradinaj.
“Ministri i Jashtëm i Francës ka pasur një pamje dhe informim të plotë dhe të detajuar se kush është zoti Haradinaj, se sa partner është partner i Francës dhe i perëndimit dhe se si një rast i tillë, për politikën franceze, është i papranueshëm”.
Ministri Hoxhaj ka shtuar se megjithatë, Kosova duhet t’i ruaj marrëdhëniet me vendet mike dhe se krijimi i një hendeku ndërmjet Kosovës dhe Francës do të shkonte vetëm në interes të Serbisë.
Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se Qeverisë së Kosovës nuk duhet t’i ngelet hatri pse Franca ka zbatuar një urdhërarrest të Interpolit me kërkesën e Serbisë. Por, siç ka theksuar ai, institucionet e Kosovës duhet të veprojnë konkretisht që rastet sikurse i zotit Haradinaj të mos përsëriten.
“Ne opozitës mundet të na ngelë hatri në Francën, por juve (pushtetit) duhet të ju ngelë hatri në Serbinë, për shkak se me Serbinë jeni takuar shumë më shpesh sesa me Francën. Me Serbinë keni mundur ta zgjidhni këtë problem. Parlamenti mund ta detyrojë këtë qeveri që të marr hapa konkret, që t’i ndërpresë bisedimet me Serbinë menjëherë dhe të vë embargo, saktësisht sanksione ekonomike për Serbinë”, tha Selimi.
Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme për Haradinajn
Kuvendi i Kosovës nisi të martën, një seancë të jashtëzakonshme mbi ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, në Francë mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.
Seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga partia e zotit Haradinaj, pason një varg reagimesh të autoriteteve dhe zyrtarëve politikë në vend që e kanë cilësuar ndalimin e ish-kryeministrit si të “papranueshme dhe të pakuptueshme”.
Seanca mbahet vetëm pak ditë përpara se një Gjykatë franceze, të shqyrtojë kërkesën e palës mbrojtëse të zotit Haradinaj për lirimin e tij, me paraqitjen e një numri provash, siç thonë avokatët e tij, që “e mundësojnë lirimin e menjëhershëm”.
Ramush Haradinaj u ndalua në aeroportin e Bazelit të mërkurën e kaluar dhe autoritetet e drejtësisë franceze i shqiptuan masën e paraburgimit deri në, sic thuhet, “paraqitjen e kërkesës zyrtare për ekstradim nga autoritetet e Serbisë”.
Ministria e Jashtme Franceze tha se procedurat që po zhvillohen ndaj Ramush Haradinajt janë çështje ligjore, të nisura mbi bazën e kërkesës së Interpolit” dhe përjashtoi mundësinë që “veprimi ligjor ndaj Ramush Haradinajt të ketë ka dimensione politike”.
Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të urdhërarrestit të policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.
Në vitin 2012, u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish Jugosllavi. Rigjykimi në vitin 2012, u bë katër vjet pas një vendimi të së njëjtës Gjykatë e cila më 2008 e nxori të pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për shkelje të ligjeve të luftës.
Një ish prokuror i Gjykatës së Hagës për krime lufte, Geoffrey Nice i tha Radios Evropa e Lirë, se rasti Haradinaj “është më shumë politik” dhe vetëm përmes një “presioni ndërkombëtar mund të lirohet” që , siç tha, “të mos ndikohet paqja që ekziston ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Sipas tij Serbia, në kërkesën e saj për ekstradim të Haradinajt, do të paraqesë “akuza thelbësisht të tjera nga ato me të cilat është përballur Haradinaj në Hagë” duke ia “vështirësuar kundërshtimin e tij që të përballet me një gjykim të ri”.
Autoritetet e drejtësisë në Serbi thanë se do të paraqesin prova kundër Haradinajt për, siç thuhet, “krimet e kryera” ndërkohë që zyrtarë të lartë shtetërorë serbë thanë se “do të kërkojnë me këmbëngulësi ekstradimin e Haradinajt në Serbi”.
Prishtina zyrtare ndërkaq e cilësoi arrestimin si “të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi dhe i kërkoi autoriteteve franceze lirimin e menjëhershëm të Haradinajt”.
Në kundërpërgjigje ndaj arrestimit të Haradinajt, qeveria në Prishtinë i ndaloi hyrjen presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliq dhe gjithë personelit përcjellës, përfshirë edhe zyrtarë të qeverisë së Serbisë, në ditën e Krishtlindjeve Ortodokse.
Marrëdhëniet ndërmjet dy palëve u ftohën deri në një pikë më të ulët që prej fillimit të dialogut dhe arritjes së marrëveshjeve “për lehtësimin e jetës së qytetarëve” dhe “normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre”.
Udhëheqësit e partisë së Haradinajt kërkuan nga qeveria e Kosovës që të ndalojë “dialogun me Serbinë deri në lirimin e tij”, ndërkohë që edhe zyrtarët e qeverisë së Kosovës “thanë se një rishikim i dialogut dhe marrëdhënieve me Serbinë është i domosdoshëm” për faktin e “urdhërresteve ndaj qytetarëve të Kosovës”.
Por zyrtarë të BE-së thanë se “po i ndjekin me kujdes zhvillimet rreth rastit Haradinaj” dhe ritheksuan qëndrimin për vazhdimin e “dialogut ndërmjet palëve”.
“Edhe Kosova edhe Serbia janë përkushtuara për normalizimin e marrëdhënieve dhe përpjekjet e BE-së në këtë drejtim do të vazhdojnë”, i tha Evropës së Lirë, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri.
Një numër protestash të qytetarëve shqiptarë janë zhvilluar, përveç në Kosovë, edh enë qendra të mëdha botërore përfshirë Londrën dhe New Yorkun në mbështetje të Haradinajt dhe me kërkesën e lirimit të tij të menjëhershëm.
Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës.
Ai u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën e Hagës, pasi prokuroria e akuzoi atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj, për krime lufte.
Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UCK-së dhe pas luftës themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një parti parlamentare të cilën ai e udhëheq edhe sot.