Për një vit, mbi 1300 raste të kontrabandës në vlerë të miliona eurove

Autoritetet doganore të Kosovës, përgjatë vitit 2016 kanë evidentuar mbi 1.300 raste të kontrabandës me mallra të ndryshme.

Vlera e mallit që është tentuar të hyjë si kontrabandë, përmes pikave kufitare dhe në kufirin e ashtuquajtur vija e gjelbër, sipas përfaqësuesve të Doganave të Kosovës arrin në miliona euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se rastet e zbuluara të kontrabandës kanë shënuar rritje, por që niveli i kontrabandës ka pasur rënie nga viti në vit, pasi që të hyrat doganore janë rritur.

“Numri i kundërvajtjeve të zbuluara nga Dogana e Kosovës gjatë vitit 2016 ka qenë mbi 1300 kundërvajtje që krahasuar me vitin 2015 është një rritje për 15 për qind. Por, kjo nuk do të thotë që kemi rritje të kontrabandës, pasi që sipas vlerësimeve tona kemi një rënie të numrit të nivelit të kontrabandës, pasi që kemi rritje të të hyrave”, thekson Stavileci.

Një numër i kompanive të ndryshme tregtare, tregon Stavileci, tentojnë të kontrabandojnë mallra për t’iu shmangur tatimeve ose përmes ndërrimit të origjinës së vendit nga vinë ato mallra.

Kontrabanda me mallra të ndryshme, sipas Stavilecit është më e pranishëm në pjesën veriore të Kosovës, por që nuk përjashtohen edhe pjesët tjera të vendit.

Produktet që kryesisht kontrabandohen, tregon Stavileci janë mallra që kanë akcizë.

“Më së shumti tentohet të bëhet kontrabandë me derivatetet e naftës, produktet e duhanit. Por, po ashtu ka edhe produkte higjienike të cilat kontrabandohen nga individë të caktuar. Gjithashtu, kemi kapur mjaft raste të kontrabandës me barna. Tek kontrabanda me barna nuk ka qenë e natyrës shmangie tatimore, por e natyrës së shmangies së licencës të cilat kërkohen nga institucionet e Kosovës e që ato kompani hezitojnë ta bëjnë”, thekson Stavileci.

Por, ndryshe nga institucionet e Kosovës të cilët thonë se niveli i kontrabandës ka shënuar rënie, përfaqësues të bizneseve në Kosovë e thonë të kundërtën.

Në bazë të hulumtimeve të bëra, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini i ka thënë Radios Evropa e Lirë se niveli i kontrabandës ka shënuar rritje.

“Raportet e ndryshme tregojnë se informaliteti në Kosovë në vitin që lëmë pas (2016) është rritur nga 33 për qind në 35 për qind. Kjo është një shifër alarmante. Mos inkasimi i të gjitha këtyre mjeteve të mallrave që kontrabandohen dëmton buxhetin e Kosovës”, thekson Shahini.

Autoritetet e Kosovës, sipas tij, janë treguar të pafuqishme në luftimin e kontrabandës. Duke mos luftuar këtë dukuri, ka thënë Shahini, në tregun e Kosovës është krijuar konkurrencë e padrejtë që po i dëmton bizneset formale.

“Për gjithë këtë, kontrabadistët nuk janë të vetëm. Janë në bashkëpunim edhe me institucionet shtetërore të Kosovës. Kohëve të fundit ne kemi parë edhe arrestimin e policëve e doganierëve dhe pronarëve të bizneseve të ndryshme. Në këtë mes, edhe konsumatorët janë viktimë”, thotë Shahini.

Përfaqësuesit e bizneseve, përveç tjerash alarmojnë se produktet të cilat hyjnë përmes rrugëve ilegale mund të jenë të rrezikshme edhe për shëndetin e konsumatorëve, pasi që si të tilla, ato nuk iu nënshtrohen asnjë procedure të kontrollit.

Qeveria e Kosovës për vite të tëra e kishte vendosur si prioritetet të politikave të saj parandalimin e ekonomisë joformale, korrupsionit dhe formave tjera të ekonomisë së zezë. (REL)