Pa ndryshimin e Kushtetutës, deklarata e parealizueshme

Kuvendi i Maqedonisë

Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare, nëpërmjet së cilës ato do të kërkojnë ngritjen e statusit juridik të shqiptarëve në shtet, por edhe të drejta tjera, nuk do të mund të realizohen pa ndryshimin e Kushtetutës aktuale, përkatësisht të preambulës së saj, e cila Maqedoninë e definon vetëm si shtet të maqedonasve.

Ekspertët e çështjeve juridike thonë se deklarata me gjithë pikat e saj është e mirëseardhur pasi për herë të parë shqiptarët dalin së bashku me një platformë të unifikuar, si për statusin e popullit shtet-formues, për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në gjitha nivelet e shtetit, përfaqësimin e drejtë, simbolet kombëtare, barazinë ekonomike, integrimin, çështjen e emrit, mbështetje për Prokurorinë Speciale e shumë çështje tjera nuk kanë marrë ende zgjidhje edhe 25 vjet nga vendosja e pluralizmit dhe 15 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Por, sipas profesorit Të së Drejtës Kushtetuese, Osman Kadriu, këto të drejta nuk do të mund të arrihen pa mbështetjen e palës maqedonase, apo pa 2/3 e votave në Kuvend, aq edhe sa duhen për ndryshimin e aktit më të lartë juridik, Kushtetutën e Maqedonisë.

Këto çështje, të cilat parashikohen në deklaratë, si çështja e statusit shtet-formues, zyrtarizimi i gjuhës shqipe e të drejta tjera, janë çështje për të cilat duhet patjetër të iniciohet ndryshimi i Kushtetutës. Por, duke marrë parasysh se mungesën e shumicës në Kuvend, vlerësoj se do të jetë i pamundur të bëhet rishikimi i Kushtetutës”, thotë Kadriu.

Sipas tij, deklarata duhet t’i nënshtrohet një marrëveshje të re me bllokun e partive politike maqedonase në formë të anekseve, pra veçmas për çdo pikë të saj, si dhe të ketë afate të qarta. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ky dokument, sipas tij, nuk do të kishte asnjë vlerë.

“Vlerësoj se patjetër duhet të arrihet një marrëveshje politike mes bllokut politik shqiptar dhe atij maqedonas, me të cilin do të formohej koalicioni për formimin e qeverisë së re. Një marrëveshje e tillë që do të jetë e domosdoshme dhe madje e firmosur ku parashihet dinamika e realizimit për çdo aneks të saj. Nëse një gjë e tillë nuk arrihet, atëherë deklarata do të ngelë vetëm se një pamflet politik dhe asgjë më shumë”, vlerëson Kadriu, profesor në Universitetin Fon të Shkupit.

Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare ende nuk është komentuar nga partitë politike maqedonase, por në detaje është transmetuar nga mediat maqedonase, të cilat kanë shprehur habi rreth përmbajtjes së saj, para së gjithash për kërkesën për status shtet-formues dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe në të gjithë vendin.

Disa nga njohësit e çështjeve politike kanë thënë se me rëndësi do të kishte qenë sikur partitë shqiptare fillimisht të jepnin kontributin e tyre për mbylljen e krizës politike, realizimin e reformave me prioritet, përfshirë edhe mbështetjen e punës së Prokurorisë Speciale për hetimin e plotë të zyrtarëve të akuzuar për vepra të rënda penale.

“Partitë shqiptare duhej të bashkoheshin rreth një platforme reformuese, për zgjidhjen e krizës politike dhe anëtarësimin e shpejtë të vendit në strukturat euroatlantike. Vlerësoj se për momentin, me rëndësi do të ishte që të gjitha partitë shqiptare të angazhoheshin për pjesëmarrje në një qeveri së bashku me opozitën maqedonase, e cila aktualisht është e vetmja që angazhohet për reforma demokratike”.

“Në të kundërtën, nuk besoj se do të ketë ndonjë zgjidhje të krizës dhe këtu kam parasysh edhe deklarimet e fundit të kreut të VMRO-së. Pra, vlerësoj se së pari është me rëndësi që të nisë funksionimi i shtetit ligjor, procedimi i të gjitha rasteve për zyrtarët e dyshuar për vepra penale dhe më pas të shqyrtohen edhe aspektet tjera”, thotë Pero Dimshoski, njohës i çështjeve politike.

Reagime të shumta ka edhe në rrjetet sociale ku kryesisht ka thirrje për unifikimin e bllokut politik maqedonas për të pamundësuar, siç thuhet, synimet e shqiptarëve për federalizimin e Maqedonisë.

Deklarata e përbashkët ndërmjet partive politike shqiptare, e mbështetur tashmë nga organet e tyre partiake, u arrit pas konsultimeve me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Dokumenti vjen dy ditë para skadimit të afatit të presidentit Gjorgje Ivano për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë, partisë fituese të zgjedhjeve, VMRO DMNE-së.

Për shkak të rezultatit të ngushtë në zgjedhje, asnjëra parti maqedonase, qoftë VMRO-ja apo LSDM-ja, nuk do të mund të formojnë qeverinë e re pa votat e partive politike shqiptare.(REL)