Reformat në sistemin shëndetësor, me gjithë lëvizjet simbolike, nuk arritën të zbatohen as në vitin 2016. Ndonëse zyrtarë të kësaj fushe thonë se po punohet intensivisht në reformimin e sistemit shëndetësor, i cili përfshin disa sfera, në shumë prej tyre reforma ka ngecur.
Mungesa e barnave të listës esenciale, cilësia e dobët e shërbimeve shëndetësore, aktakuzat e ngritura ndaj zyrtarëve shëndetësorë gjatë këtij viti, kanë bërë që shëndetësia kosovare të jetë në gjendje jo të mirë.
Ligjet e miratuara vitet e fundit, sipas ekspertëve, paraqesin një bazë të mirë për reformën e mëtutjeshme shëndetësore.
Por, sfidë e përhershme mbetet zbatimi i tyre në praktikë.
Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, thotë se viti 2016, me gjithë sfidat, mund të konsiderohet se është përmbyllur me mjaft sukses.
“Ne kemi bërë përparime të shumta në shumë fusha. Sidomos kemi ecur tutje me themelimin e Fondit për sigurime shëndetësore, kemi bartur kompetenca të deleguara tek Odat e profesionistëve shëndetësorë, jemi duke përmbyllur suksesshëm fazën e pilotimit të sistemit të informimit shëndetësor dhe kemi bërë plane si duhet të përshpejtohet ky projekt në tërë Kosovën”.
“Kardiokirurgjia tashmë një vit po funksionon me sukses. Gjithashtu kemi edhe kthimin e kujdesit të shëndetësisë nga kujdesi parësor shëndetësor. Mund të them që këtë vit kemi përmbyllur një proces të nxjerrjes së vendeve të lira të punës për punësimin emjekëve të papunë dhe specialistëve të rinj”, thotë Rrahmani.
Por, mjekët nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, thonë se për reformim të sistemit shëndetësor, duhen mjete financiare, të cilat kanë munguar në vazhdimësi viteve të fundit.
Ndërkaq, Muharrem Avdiu, drejtor i Klinikës së Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se një reformim i mirëfilltë nuk pritet as në vitin 2017, pasi buxheti është i njëjtë me vitin që po e lëmë pas.
“Sistemi shëndetësorë reformohet atëherë kur ka para më shumë për shëndetësinë. Edhe viti 2017 nuk do të ketë të hyra për shëndetësi më shumë. As në vitin 2016 nuk ka pasur më shumë buxhet se në vitin 2015. Nuk jemi optimistë se do të bëhet mirë së shpejti. Por, duhet të mobilizohemi në anët tjera, në motivimin e punëtorëve shëndetësorë, pasi ata e duan punën e tyre”, konsideron Avdiu.
Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se reforma si proces, në përgjithësi zgjat dhe kërkon kohë. Sipas tij, megjithatë është bërë një punë e mirë në hartimin e disa strategjive dhe fuqizimin e legjislacionit në fuqi.
“Një fokus i veçantë është bërë për Ligjin për sigurime shëndetësore, e që do të jetë sfidues, ashtu si edhe në vendet tjera, por që është punuar në vitin që po e lëmë pas. Shëndetësia ballafaqohet me sfida qoftë në qeverisje, financim, ofrim të shërbimeve apo edhe kuadrit shëndetësor dhe avancimit të tyre profesional”, thekson Syla.
Duke iu referuar ministrit Imet Rrahmani, objektivat janë që reformat në disa sektorë, do të zbatohen dhe realizohen në një periudhë të ardhshme 5-vjeçare, sipas strategjisë sektoriale të shëndetësisë.(REL)