Autoritetet e rendit në Kosovë, thonë se në tre muajt e fundit të vitit ka rënë numri i aksidenteve me fatalitet dhe me lëndime trupore.
Sipas tyre, rënia është shënuar që prej fillimit të zbatimit të një Ligji të ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, me të cilin janë paraparë edhe sanksionime më të rënda jo vetëm për shoferët, por edhe këmbësorët dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik në rast të shkeljes së rregullave.
Në bazë të statistikave të autoriteteve të rendit, numri i viktimave në trafik ka rënë gjatë vitit 2016 në krahasim me një vit paraprak, megjithëse thuhet se numri i tiketave të shqiptuara për shoferët është rritur gjatë këtij viti.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në vitin vetëm në tre muaj të fundit të vitit 2016 (shtator, tetor, nëntor)në aksidente trafiku kanë vdekur 29 persona, duke shënuar rënie të dukshme në krahasim periudhën e njëjtë të vitit 2015 kur në aksiente kanë vdekur 51 persona.
Në bazë të shënimeve të Policisë së Kosovës, gjatë tre muajve të fundit të vitit 2016 (shtator, tetor, nëntor) janë shqiptuar mbi 80 mijë tiketa për kundërvajtje në trafik në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2015 kur qenë shqiptuar mbi 70 mijë.
Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se edhe pas aprovimit te Ligjit të ri mbi trafikun janë në proces masa të vazhdueshme operacionale policore.
"Në përgjithësi pas implementimit të ligjit të ri, vërehet një vetëdijësim më i madh i vozitësve në trafikun rrugor dhe në veçanti në respektimin e kufizimit të shpejtësisë, por edhe shmangjen nga kundërvajtjet tjera”, tha Hoxha.
Një Ligj i ri për rregullat e trafikut, u prezantua në shtator të këtij viti dhe autoritetet e vendit thanë se “po provojnë që të ndalin një kaos në trafik që ka mbretëruar viteve të fundit në të gjitha rrugët e Kosovës. Me ligjin e ri parashihen dënime shumë të rënda për shkelësit e rregullave dhe autoritetet e rendit thonë se qëllimi i tij është rritja e sigurisë në trafikun rrugor dhe mundësimi i zhvillimit të rrjedhës normale të tij".
Eskpertët e trafikut thonë se ligji ka dhënë efektet e para.
Muhamet Krasniqi, nga Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike 'Tempulli', tha për Radion Evropa e Lirë, se ligji ka mangësi që po e pengojnë zbatimin e plotë të tij.
"Mendoj se po vazhdojnë të ballafaqohen me mungesë të koordinimit të veprimeve institucionale në raport me institucionet tjera që trajtojnë këtë problem. Ligjet kanë eliminuar disa nga mangësitë e ligjit paraprak për sigurinë në komunikacionin rrugor, por këto ligje duhet plotësohen me disa udhëzime administrative për të rregulluar aspektet procedurale administrative rreth cështjeve të caktuara nga kjo fushëveprimtari".
Policia e Kosovës ka bërë shumë herë apel tek ngasësit e makinave që të respektojnë rregullat duke shmangur aksidentet në trafik.
Ndryshe, në Kosovë janë mbi 300 mijë makina të regjistruara, nga të cilat vetëm në Prishtinë afro 100 mijë, në një infrastrukturë rrugore që, siç thonë ekspertë të fushës, nuk mund ta mbajë këtë kapacitet.
Por, mekanizmat e sigurisë thonë se me ligjin e ri, përveç shqiptimit të pikëve negative, dënimet për shkelësit e rregullave të trafikut do të sillen nga 300 deri në 900 euro, dhe në raste të caktuara edhe me marrjen e patentë shoferit. (REL)