Pala mbrojtëse: Astrit Dehari është vrarë

Astrit Dehari

Pala mbrojtëse e familjes Dehari ka kundërshtuar konstatimet e prezantuara nga Prokuroria në lidhje me vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka prezantuar raportet e fundit të Mjekësisë Ligjore dhe të ekspertëve të pavarur që kishte angazhuar familja e të ndjerit Astrit Dehari.

Bazuar në këtë dokumentacion, Gashi ka thënë se Kryeprokurori i Gjykatës Themelore në Prizren, Sylë Hoxha ka mashtruar opinionin në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit. Ai ka kundërshtuar konstatimin nga Prokuroria se Astrit Dehari ka vdekur nga lëndimet e vet-shkaktuara, që nënkuptojnë vetëvrasjen.

“Në raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, askund nuk përmendet vetëvrasja”, ka thënë Gashi. Po ashtu, ka nënvizuar ai, lidhur me këtë rast nuk janë kryer hetime që konstatojnë aktin e vetëvrasjes.

Sipas Gashit, i gjithë dokumentacioni i siguruar në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit qojnë kah vrasja e tij dhe jo vetëvrasja.

Ai ka prezantuar dokumente dhe fotografi, të cilat sipas tij, dëshmojnë se Astrit Dehari ka vdekur si pasojë e lëndimeve që i janë shkaktuar nga goditjet me mjet të fortë që kanë mund të qojnë deri te humbja e vetëdijes dhe jo nga lëndimet që i ka shkaktuar vetvetes, siç kishte thënë Prokuroria.

Shkalla e lëndimeve, sipas Gashit, dëshmon se njeriu nuk mund t’i shkaktoj vetës ato lëndime, por ato, ka nënvizuar Gashi, kanë mund të jenë si rezultat i ndonjë goditje të fortë, ku ai përmendi llojin e boksit të metalit.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, 26 vjeç,vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor. Ai po mbahej në paraburgim nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës, i cilësuar si akt terrorist.