Thaçi: Muri në Mitrovicë duhet të rrënohet

Muri i ndërtuar në Mitrovicë

Muri në veri të Mitrovicës, është në kundërshtim të plotë me marrëveshjet e arritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka deklaruar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Po ashtu, ka theksuar ai, ky mur është edhe në kundërshtim me ligjet në fuqi, andaj si i tillë, ai tha se ky mur duhet të rrënohet.

Këto komente, Presidenti Thaçi i ka bërë gjatë një konference pas takimit që pati me Këshillin Konsultativ për Komunitete.

“Është në kundërshtim më të gjitha marrëveshjet e Brukselit. Për këtë çështje nuk do të negociohet me Serbinë apo Bashkimin Evropian. Këtij muri do ti jepet përgjigje në masë të bazave ligjore”, ka deklaruar Thaçi.

Muri në pjesën veriore të Mitrovicës u ndërtua nga autoritetet lokale të komunës veriore të këtij qyteti.

Kryetari i komunës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se muri do të rrënohet dhe se hapësira do të jetë në shfrytëzim të qytetarëve. Por, kryetari i Komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq ka deklaruar se ky mur, nuk do të rrënohet por do të ri-dizajnohet.