Ndryshimet kushtetuese, të cilat do t’i hapnin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, kanë mbetur peng i zhvillimeve politike në vend, tha për Radion Evropa e Lirë, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli.
Ai bëri me dije se ministria që drejton ka kryer përgatitjet e nevojshme të planifikimit dhe të procesit të transformimit dhe se është e gatshme të fillojë procesin e transformimit, pasi të jetë marrë një vendim politik në Kuvendin e Kosovës.
“Aktet normative apo draft ligjin për transformimin e FSK-së në FAK e kemi dërguar në Qeveri të Kosovës dhe po ashtu amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me transformimin e FSK-së janë në Kuvendin e Kosovës. Por, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe janë duke e bojkotuar punën e Kuvendit të Kosovës, si dhe nuk kanë treguar gatishmëri për të dhënë votën e tyre pro ndryshimeve kushtetuese, të cilat do të ishin edhe bazë për fillimin dhe zhvillimin e këtij procesi”, thotë Demolli.
Ministri Demolli thotë se janë bërë përpjekje që të kontaktohen deputetët nga Lista Serbe, për të parë se cilat janë shkaqet e mos votimit të ndryshimeve kushtetuese për FSK-në dhe se cilat janë kërkesat eventuale që mund të kenë, mirëpo, sipas tij, “ nuk ka pasur sukses në atë drejtim”.
“Shtyrja e këtij procesi mund të jetë demotivim sa i përket zhvillimeve të brendshme në FSK. Kjo vërtetë mund të krijojë demotivim tek pjesëtarët e FSK-së, të cilët ka dy vite që po presin fillimin e këtij procesi”, thotë Demolli.
Por ndërkohë, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, deputetë të Listës Serbe nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me këtë çështje, duke thënë se qëndrimet e tyre tani më janë të njohura.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Nenad Rashiq, kohë më parë pati deklaruar se nuk ekziston ‘hapësirë manovruese brenda koalicionit dhe marrëveshjes për koalicion', për çfarëdo bisedimesh për Forcat e Armatosura të Kosovës.
Lista Serbe, aktualisht, e ka ngrirë pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës, në Kuvend dhe në Qeveri, pas miratimit të një Ligji për Trepçën dhe për Investimet Strategjike.
Forcat e Armatosura të Kosovës, si pasardhëse të Forcave të Sigurisë, janë paralajmëruar të krijohen prej më shumë se dy vitesh, pas hapjes së dritës së gjelbër nga Aleanca e NATO-s me përmbushjen e kapaciteteve operative. Autoritetet në Kosovë thanë se ato do të krijoheshin me standarde të NATO-s dhe nën mbikëqyrjen e Aleancës.
Pak ditë më parë, ndërkaq, udhëheqësit e institucioneve të vendit thanë se kanë marrë mbështetjen nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, për rritjen e bashkëpunimit me Aleancën.
Por, analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se kundërshtimi i Listës Serbe sa i përket transformimit të FSK-së në Forcën e Armatosur të Kosovës është vetëm njëra anë e medaljes.
Sipas tij, në këtë mes ka edhe çështje tjera që po shkaktojnë zvarritjen e këtij procesi.
“Unë e shoh mjaft problematike edhe qasjen që NATO-ja mund të ketë karshi Forcës së Armatosur të Kosovës. Mos të harrojmë se NATO është e pranishme në Kosovë me një Forcë të Armatosur, siç është KFOR-i. Në letrën që i është dërguar kryeministrit Isa Mustafa, por që nuk është bërë publike, unë besoj që qëndron edhe forma se a do të jetë e mundshme që me një forcë apo ushtri të NATO-s brenda në Kosovë të krijohet edhe një forcë tjetër e armatosur, që do të ishte FAK”, thotë Mushkolaj.
Problemi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe mos miratimi i Ligjit brenda Kuvendit të Kosovës, thonë njohës të rrethanave, do të vazhdojë edhe më tej, për faktin e vazhdimit të bojkotit të punës nga Lista Serbe, por njëkohësisht edhe mosmarrëveshjeve në skenën politike në vend. (REL)