Rezultatet e para zyrtare të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve kanë treguar se të gjitha partitë politike shqiptare, në përbërjen e re parlamentare, (Bashkimi Demokratik për Integrim, Rilindja me Besë, Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Demokratike Shqiptare) do të përfaqësohen me 20 deputetë gjithsej së bashku, rreth 9 ulëse në Parlament më pak se sa kishin në përbërjen e kaluar parlamentare.
Të gjitha partitë shqiptare së bashku kanë arritur që në zgjedhjet e 11 dhjetorit të marrin 212 mijë e 095 vota, mbi 25 mijë vota më pak se në zgjedhjet e kaluara parlamentare të prillt 2014.
Një pjesë të votave të shqiptarëve të Maqedonisë, në vendbanime të banuara kryesisht me popullatë shqiptare, i ka siguruar partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë.
Kjo parti, madje, ka marrë numrin më të madh të votave kundrejt partisë shqiptare Bashkimit Demokratik për Integrim, parti kjo e dalë nga lufta. Në Haraçinë të Shkupit, që ishte shpallur zonë e lirë nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare gjatë konfliktit të armatosur 2001-shin, LSDM ka marrë 2,059 vota ndërsa BDI 1,456.
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë ka siguruar vota edhe në Malinë, Brezë dhe Tanushë, fshatrat e malësisë së Shkupit përgjatë vijës kufitare me Kosovën, prej ku për herë të parë u shfaq Ushtria Çlirimtare Kombëtare.
Duke komentuar këtë dukuri, Xhelal Neziri, drejtues i institutit për Gazetari Hulumtuese SCOOP, thotë se votuesit shqiptarë votuan për një opsion politik maqedonas, në mungesë të ofertave nga ana e partive politike shqiptare.
“Ky është rezultat i një politike të gabuar të partive politike shqiptare, si në përpilimin e ofertave apo programeve parazgjedhore, po ashtu edhe në politikbërjen e tyre në përgjithësi. Mund të shquhet një qasje e gabuar nga ana e partive politike ndaj votuesit shqiptar. Kjo qasje ka të bëjë si në imponimin e agjendave politike, po ashtu edhe të kuadrove të cilët janë imponuar me patjetërsim për t’u votuar, pa kaluar në filtrin e përmbushjes së kritereve”, thotë Neziri.
Besa Arifi, ligjëruese në Universitet Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se mandatet e humbura nuk paraqesin delegjitimim të votës shqiptare, përkundrazi faktorizim, duke dënuar politikat nacionaliste të VMRO DPMNE-së të drejtuar nga Nikolla Gruevski, ish kryeministër.
“Të gjithë e dimë se cili ishte prioriteti kryesor i këtyre zgjedhjeve. Pra, ishte një luftë e hapur kundër politikës së VMRO DPMNE dhe Gruevskit që vazhdoi ta luajë jo vetëm gjatë kohës që ishte në krye të qeverisë, por e ritheksoi edhe gjatë fushatës zgjedhore."
"Kështu që unë mendoj se shqiptarët të cilët votuan për LSDM-në vendosën një prioritet shumë të rëndësishëm gjatë përcaktimit se për kë do të votojnë. E ky prioritet ishte rrëzimi i Gruevskit dhe këtë e bënë në një mënyrë të organizuar shumë të vetëdijshme pa kompromise, për shkak se e vlerësuan këtë si formën direkte dhe më të fuqishme për t`i thënë atë JO-në vendimtare të politikave të udhëhequra nga Gruevski", konsideron Besa Arifi.
Njohësit e çështjeve politike thonë se ulja e numrit të deputetëve shqiptarë, para së gjithash, është si rrjedhojë e mos balancimit të njësive zgjedhore, ku njësia zgjedhore 6, e cila përfshin vendbanimet shqiptare në Maqedoninë veriperëndimore (Tetovën, Gostivarin dhe një pjesë të Dibrës), ka numrin më të madh të votuesve, madje 30 mijë votues më shumë se sa ka njësia e 3 zgjedhore, e cila nxjerrë numrin e njëjtë të deputetëve, përkatësisht 20.
“Në zgjedhjet parlamentare të 2014 shqiptarët morën maksimumin e mandateve për deputetë, por nuk bënë shumë me ato mandate. Pavarësisht se tani ka rënë numri i deputetëve, pesha e votës shqiptare është shtuar, sepse nuk është se ka humbur ajo popullatë shqiptare brenda Maqedonisë. Por, me votën e vet ka kontribuar në afrimin e opozitës dhe pozitës nga tabori maqedonas, duke u thënë ndal politikave stagnuese në më shumë dimensione”, thotë Besa Arifi.
Një element tjetër që ka çuar në uljen e deputetëve shqiptarë në njësinë zgjedhore 6, vlerëson Xhelal Neziri, është dhe shpërndarja e votës në më shumë parti politike shqiptare.
“Shpërndarja e votës në 4 parti shqiptare ka bërë të mos efektohet vota duke u konvertuar në deputetë”, thotë Neziri.
Sa i përket partive politike, humbje drastike të deputetëve ka pësuar partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila në zgjedhjet e kaluara kishte 19 deputetë, kurse tani ka siguruar vetëm 10 deputetë, ndërkohë që sërish është radhitur e para me numrin e deputetëve të fituar në zgjedhjet e 11 dhjetorit.
Partia Demokratike Shqiptare, e cila ishte në opozitë në përbërjen e kaluar, ishte e përfaqësuar me 7 deputetë, përderisa tani ka siguruar vetëm 2 deputetë.
Befasi paraqet Rilindja me BESË, e cila për herë të parë garon në këto zgjedhje dhe ka siguruar 5 deputetë, si dhe Aleanca për Shqiptarët, duke siguruar tre ulëse në përbërjen e re parlamentare. (REL)