Udhëheqësi i shumicës republikane në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Mitch McConnell, tha se Kongresi do të hetojë vlerësimin e CIA-s se Qeveria e Rusisë ka përdorur hakerët kompjuterikë për t’i ndihmuar presidentit të zgjedhur, Donald Trump, të fitojë zgjedhjet.
Njoftimi vjen në kohën e debateve intensive midis politikë-bërësve amerikanë, zyrtarëve zgjedhorë dhe komunitetit të inteligjencës në lidhje me shkallën e veprimit të hakerëve dhe qëllimin e tyre.
Shtëpia e Bardhë, e cila ka urdhëruar një hetim të thellë të sulmeve kibernetike gjatë fushatës zgjedhore, e mirëpriti lajmin për hetime nga Komiteti i Inteligjencës i Senatit.
McConell tha se rusët nuk janë miq të SHBA-së dhe dënoi sulmet e mundshme kibernetike në kompjuterët e Komitetit Kombëtar Demokratik dhe në organizatat e tjera politike të SHBA-së.
McConnell tha se hetimet mbi ndërhyrjen e mundshme ruse nuk mund të jenë çështje partiake.
Presidenti Barack Obama pritet të marrë rezultatet e hetimeve që ka urdhëruar përpara se Trump të marrë detyrën më 20 janar.
Më 7 tetor, para zgjedhjeve, drejtori i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, James Clapper, ka akuzuar publikisht Qeverinë ruse për përfshirje në sulmet kibernetike në kompjuterët e Partisë Demokratike.
Deklarata e Clapperit është bërë në emër të CIA-s dhe 16 agjencive të tjera që përbëjnë komunitetin e ineligjencës në SHBA.
Më 9 dhjetor, gazeta The Washington Post ka raportuar se CIA ka konstatuar se qëllim i hakerëve rusë ka qenë të ndihmojnë Trumpin që të fitojë presidencën.
Këto konstatime janë hedhur poshtë nga Trump, i cili ka thënë se ato përdoren nga demokratët për të minuar fitoren e tij zgjedhore.
Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, po ashtu mbështeti idenë që Komiteti i Inteligjencës të hetojë sulmet e mundshme kibernetike në procesin zgjedhor në SHBA.
“Çdo ndërhyrje e huaj në zgjedhjet tona është krejtësisht e papranueshme”, tha Ryan.
“Dhe, çdo ndërhyrje nga Rusia është veçanërisht problematike, sepse nën presidentin Vladimir Putin, Rusia ka qenë një agresor që ka dëmtuar interesat amerikanë”, shtoi Ryan.
Megjithatë, ai tha se hetimet nuk duhet të minojnë fitoren zgjedhore të Trumpit.
Në një tjetër zhvillim, disa nga zgjedhësit amerikanë, që janë të ngarkuar me përcaktimin e presidentit të ardhshëm me një votim, javën e ardhshme, kanë bërë thirrje për një takim mbi akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.
Dhjetë zgjedhës – një republikan dhe nëntë demokratë – kanë thënë se u duhet të kuptojnë fuqinë e provave për ndërhyrjen ruse, përpara votimit të Kolegjit Zgjedhor më 19 dhjetor.
Zgjedhësit, zakonisht, vetëm ratifikojnë rezultatet e votimit nga shteti në shtet, por Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara u jep atyre liri për të marrë në konsideratë faktorë të jashtëzakonshëm, të cilët mund t’i vënë në pyetje rezultatet.
Përgatiti: Valona Tela