Publikimi i rezultateve të Programit për Vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur më shkurtesën “PISA”, i cili e ka radhitur Kosovën në vendin e 68 –të në mesin e 72 shteteve, është bërë temë debati në Kosovë, për arsyet dhe llogaridhënien e nivelit të ulët të cilësisë se arsimit.
Niveli i ulët i cilësisë se arsimit mund të jetë ndikuar edhe nga menaxhimi jo adekuat i shkollave, thonë udhëheqës të sindikatës së arsimit dhe ekspertë të kësaj fushe.
Kjo, sipas tyre, ndodh me emërimin e drejtorëve në sektorin e arsimit parauniversitar, duke shtuar se kriter për zgjedhjen e drejtorëve nuk është kualifikimi, por është afërsia me partinë që udhëheq komunën.
Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë disa herë ka paraqitur si shqetësim kryesor emërimin e drejtorëve partiak nëpër shkolla, pasi, sipas tyre, më vonë drejtorët zgjedhin arsimtarët po ashtu të partive që udhëheqin komunën, pa marrë parasysh kriteret dhe kualifikimet.
Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës, ka thënë se në komunat e Kosovës ka raste që menjëherë pas zgjedhjeve, me fitoren e subjektit të caktuar politik, ndërrohen edhe drejtorët e shkollave.
“Ne mendojmë se drejtori është menaxher dhe po e dërguam një menaxher të mirë atëherë edhe atmosfera në shkollë ndryshon dhe kemi punë më efektive. Dhe drejtori do të ishte menaxher i mirë nëse zgjidhet në bazë të përkushtimit të tij, aftësive profesionale dhe jo në bazë të ndonjë çelësi tjetër”, ka thënë Jasharaj për Radion Evropa e Lirë.
Edhe ekspertë për çështje të arsimit, duke vlerësuar se pas rezultateve të PISA-s dikush duhet të jap përgjegjësi, konsiderojnë se drejtorët e shkollave i përkasin partive politike.
Dukagjin Pupovci, udhëheqës në Qendrën për Arsim të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se në shkollat ku drejtorët i përkasin partive politike nuk mund të ketë performancë të mirë të cilësisë se arsimit.
“Ai shpesh herë është në pozitë që t’i zbatojë agjendat politike të koalicionit qeverisës, respektivisht të kryetarit të komunës. Kështu që, nganjëherë, duhet të pranojë në shkollë edhe staf që nuk është i kualifikuar, respektivisht staf i cili po ashtu vjen nga linja e caktuar politike, prej të cilit nuk mund të kërkohet llogari, sepse ai person nuk është aty për të dhënë llogari, por është se i është premtuar një vend pune gjatë fushatës zgjedhore”, shprehet Pupovci për Radion Evropa e Lirë.
Sipas bazës ligjore, emërimi i drejtorëve të shkollave është kompetencë e kryetarit të komunës. Vetëm në rast se paraqiten parregullsi ose ankesa eventuale, ndërhyn Departamenti i Inspeksionit, që funksionin në kuadër të Ministrisë se Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Zgjedhja e drejtorëve të shkollave nga kryetari i komunës është karakteristikë unike e sistemit arsimor në vend, konsideron Pupovci.
“Sepse asnjë shërbyes civil tjetër nuk zgjidhet nga i emëruari politik. Dhe kjo shpesh herë bën që drejtorët e shkollave të jenë nga e njëjta linjë politike sikurse kryetari i komunës, ose të paktën sikurse koalicioni qeverisës në një komunë“, shprehet ai.
Se sa janë të rëndësishme pozitat e drejtorëve të arsimit nëpër drejtoritë komunale tregon edhe fakti se për një post të tillë, së fundi, erdhi deri te prishja e koalicionit në nivelin komunal, ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, në Mitrovicë.
Sidoqoftë, autoritetet që bëjnë emërimet, siç përcaktohet me Ligjin për Arsimin Parauniversitar, krijojnë procedura të drejta, të hapura dhe transparente për angazhim bazuar në kualifikimet dhe nevojat e postit. (REL)