Zgjedhjet në Maqedoni, qytetarët presin ndryshime

Votimet në Tetovë

Qytetarët e Maqedonisë, të cilët të dielën votuan në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, presin zgjidhjen e krizës politike, ndërsa nga pushteti i ri, presin të angazhohet për një jetë më të mirë, të kthehet besimi në sistemin gjyqësor, si dhe të zhbllokohet procesi i integrimit euroatlantik.

“Shpresoj që kushdo që të dalë fitues nga këto zgjedhje, të angazhohet për realizimin e kërkesave të qytetarëve në formë të barabartë, pavarësisht se kush për kë ka votuar. Me prioritet për qeverinë e ardhshme do të duhet të jetë që të eliminohen anomalitë, të cilat janë të pranishme në shoqëri, veçanërisht ato në sistemin gjyqësor, si dhe integrimi i vendit në aleancën veri-atlantike”, tha Bajram Ramadani.

Avni Ismaili, rreth 20 vjeç tha se shpreson që të hapen perspektiva për të rinjtë në Maqedoni:

“Maqedonia duhet të fillojë të ecë nga e mbara, po kështu siç kanë vepruar deri më tani politikanët, shumë keq ka qenë për ne. Erdha të votoj për një jetë më të mirë. Qeveria e ardhshme duhet t’i lirojë si e para të gjithë të burgosurit politikë dhe njëherësh drejtësia të vlejë për të gjithë qytetarët njëlloj”.

Zgjedhjet në rajonin e Tetovës ku numri më i madh i votuesve ështëshqiptarë, janë zhvilluar kryesisht në atmosferë të qetë me disa parregullsi të vogla të teknike, por sikurse dhe në ciklet e kaluara zgjedhore, me pjesëmarrje më të ulët se njësitë e tjera zgjedhore.

Tetova bën pjesë në njësinë e gjashtë zgjedhore që përfshinë Gostivarin, një pjesë të Kërçovës, Dibrës dhe Mavrovës, si njësia më e madhe zgjedhore me rreth 313 mijë votues, apo rreth pesë për qind më shumë votues se njësitë e tjera zgjedhore.

Edhe në Tetovë, qytetarët e anketuar presin ndryshime në jetën e tyre, por ka edhe të atillë që janë skeptikë.

“Shpresoj se nëse njerëzit janë të vetëdijshëm se kë do të votojnë besoj se do të ketë ndryshime, ka shpresa të mira”, u shpreh Ardian Sinani.

Por, një tjetër banor i Tetovës, Ridvan Muharremi, u shpreh skeptik nëse do të ketë ndryshime:

“Skeptik jam, asgjë të veçantë nuk do të ketë. Koha ka dëshmuar se deri tani nuk ka pasur ndonjë lëvizje të madhe, por shpresa vdes e fundit”.

Stojan Baçev, banor i një lagje të Tetovës të banuar me popullatë maqedonase, theksoi se mund të bëhet mirë, por për këtë duhet kohë, siç u shpreh ai.

“Mendoj se politikisht ende nuk jemi të pjekur, ndoshta më vonë do të bëhet më mirë për të gjithë popujt që jetojnë këtu”, tha Baçev.

Sidoqoftë qytetarët presin që procesi zgjedhor të marrë vlerësime pozitive dhe me këtë Maqedonia të dëshmojë se ka kapacitet të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike.(REL)