Obama ka urdhëruar hetime për sulmet kibernetike gjatë zgjedhjeve

Ilustrim

Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti amerikan, Barack Obama, ka urdhëruar hetime lidhur me sulmet kibernetike gjatë fushatës së fundit presidenciale, për të cilat Uashingtoni e fajëson Rusinë.

Obama i ka urdhëruar agjencitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të paraqesin një raport lidhur me këtë çështje, para se ai të largohet nga presidenca, më 20 janar të vitit të ardhshëm.

Donald Trump, pasardhës i presidentit Obama, ka shprehur dyshim se Rusia mund të ketë rol në sulmet kibernetike dhe gjatë fushatës e ka lavdëruar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Cak i sulmeve të hakerëve ishin Komiteti Kombëtar Demokratik në Shtetet e Bashkuara dhe një bashkëpunëtor kryesor i kandidates presidenciale demokrate, Hillary Clinton.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara publikisht e ka akuzuar qeverinë ruse për involvim në sulmet kibernetike kundër zyrtarëve të Partisë Demokratike.

Lisa Monaco, këshilltare për siguri të brendshme e presidentit Obama, u tha mbrëmë vonë reporterëve se rezultatet e raportit do tu paraqiten edhe ligjvënësve dhe publikut.