Problemi me qentë endacakë

Ilustrim

Numri i madh i qenve endacakë në rrugët e qyteteve të Kosovës shumëherë ka paraqitur problem për qytetarët dhe në raste të caktuara, në disa pjesë të vendit, ka patur edhe viktima e fëmijë të kafshuar nga qentë.

Por, megjithatë, në qytetin e Prishtinës, qentë endacakë, sado që më parë janë parë të ‘frikshëm’, kohët e fundit nga qytetarët po shihen me më pak shqetësim.

Dy qytetarë të anketuar për Radion Evropa e Lirë thanë se, ndonëse kanë dëgjuar se ka pasur raste kur qentë kanë sulmuar njerëzit, ata nuk i shohin si të rrezikshëm qentë endacak.

"Nëse nuk i ngacmon qentë në rrugë, ata nuk të ngacmojnë. Ndonëse tash jemi në periudhën e dimrit dhe janë më agresiv, por mendoj se nëse njeriu nuk i ngacmon, as qeni nuk të vërsulet", ka thënë Artan Muhadri, student i Fakultetit të Arteve.

"Zakonisht në mëngjes ka shumë qenë endacakë. Mua nuk më ka ndodhur të më sulmojnë, as në familjen time nuk na ka ndodhur kurrë të kemi probleme me qentë endacak. Mendoj se duhet të strehohen në qendra përkatëse, pasi përpos rrezikut të sulmit, ata bartin edhe sëmundje të ndryshme", ka thënë Alma Gashi, studente e Fakultetit të Historisë.

Vrasja e qenve endacakë, si praktikë e mëhershme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në vitin 2011, pati zgjuar reagime të shumta te qytetarët dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Atë kohë ishin eliminuar rreth 300 qenë endacakë.

Kryetari I Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se ka kërkuar që të shpallet emergjencë shtetërore në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, pasi Komuna e Prishtinës nuk ka buxhet të mjaftueshëm për ta trajtuar këtë problem e vetme.

Miranda Mullafazliu, zyrtare për informim në Kuvendin Komunal të Prishtinës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se problemi me qentë endacak mbetet shqetësues për Komunën e Prishtinës, duke marrë parasysh rrezikun e vazhdueshëm që u kanoset qytetarëve cdo ditë.

Por, ajo ka shtuar se duke ditur faktin që këto kafshë migrojnë , kufiri administrativ komunal është pengesë për zgjidhjen e këtij problem, dhe ata si institutcion kanë bërë thirrje për nevojë të zgjidhjes së problemit të qenve endacak në tërë territorin e Kosovës.

‘’Tash për tash të gjithë qentë endacak trajtohen sipas legjislacionit dhe dispozitave ligjore në fuqi, që do të thotë se çdo qendër strehimore duhet të regjistrohet, ku janë të parapara edhe procedurat e adoptimit dhe procedurat në rast të rrezikimit të sigurisë publike, lëshimit të pakontrolluar të qenve, siç ndodhë sot, si dhe rastet më agresive që vijnë nga lirimi i qenve shtëpiak, në pamundësi të mbajtjes së tyre’’, ka thënë Mullafazliu.

Nga qendra kosovare për strehimin e qenve endacak, Florim Ferati ka thënë se tash për tash nuk janë duke u marrë me strehim të qenve endacak, me aq sa kanë kapacitet, për shkak se janë duke pritur kontratë nga Komuna e Prishtinës. Por, ai flet për gjendjen lidhur me qentë endacak në Prishtinë.

‘’Kapaciteti është 250 qen në strehimoren tonë. Prej trajnimeve dhe konferencave që i mbajmë çdo vit me organizatat tjera, jemi duke bërë aksionin 'kastro- sterilizo dhe liro.'

"Tash për tash i kemi pak qen, pasi nuk kemi aktivitet, por në momentin kur angazhohemi kemi kapaciete të mjaftueshëm."

"Në Prishtinë gjendja nuk është e mirë. Kjo shihet edhe në qendër të qytetit. Por, kjo nuk mund të zgjidhet me shkop magjik. Me këtë punë nuk është marrë kurrë asnjëherë askush dhe duhet kohë të përmirësohet gjendja‘’, ka thënë Ferati.

Në anën tjetër, Nol Kabashi, shef i sektorit të mirëqenies së kafshëve në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, ka bërë të ditur se gjendja me qentë endacak nuk është e mirë.

Sipas tij, ana legjislative ka avancuar në Kosovë, por për rregullimin e problemit dhe avancimin e mëtutjeshëm duhet ana financiare, e që mungon.

‘’Problemi nuk mund të rregullohet menjëherë, duhet kohë më e gjatë. Ne si agjension kemi përgatit draft-rregulloren për strehimoren e kafshëve. Do të ndërhyhet edhe pak në muajin janar në anën juridike dhe profesionale. Po ashtu kemi draft rregulloren për strehimin e qenve dhe pritet që në vitin 2017 ato të aprovohen. Më pas duhet pak kohë dhe kosto financiare për të filluar së implementuari’’, ka thënë Kabashi.

Ndryshe, në Prishtinë janë rreth 3,000 qen endacakë, kurse në mbarë Kosovën thuhet se numri i tyre arrin në 200 mijë, sipas një raporti të bërë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. (REL)