Javorja amerikane Time sot e ka shpallur “Person të Vitit” presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, për fitoren e papritur të tij dhe për rishkrimin e rregullave të politikës, që e kanë ngritur atë në krye të Amerikës së ndarë.
Zoti Trump, nëpërmjet bisedës telefonike në rrjetin NBC, e ka mirëpritur këtë titull të revistës, si “nder shumë të madh” dhe i ka hedhur poshtë pohimet se është përgjegjës për ndarjet në Amerikë dhe e ka lavdëruar presidentin aktual, Barack Obama.
Në ballinën e javores Time është fotografia e zotit Trump dhe mbishkrimi “Donald Trump: President i Shteteve të Ndara të Amerikës”, raporton AFP nga Nju Jorku.
Time ka shkruar se personi i saj i vitit “e kishte ndikimin më të madh për të mirë ose të keq, në ngjarjet e vitit”.
Rubrika “Personi i Vitit” i javores Time e ka një traditë 90 vjeçare dhe kjo revistë për çdo vit e bën shpalljen e personit të këtillë.